Kontesti Komunë-kompani furnizuese, në Lipjan le pacientët pa analiza

LipjanPostuar: 13:46 / 03.11.2017

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare e Lipjanit prej një jave po përballet me mungesë reagensave dhe materialesh shpenzuese për kryerjen e analizave të hemogramit dhe disa analiza të tjera elementare.

Për ta furnizuar QKMF-në me këto materiale shpenzuese, Komuna e Lipjanit muaj më parë kishte kontraktuar një kompani private jo serioze në vlerë prej rreth 25 mijë eurosh, e cila nuk po e bën furnizimin e rregullt sipas marrëveshjes.

Ndërkohë midis kompanisë dhe Komunës është paraqitur edhe një kontest për furnizim të materialit shpenzues. Sidoqoftë, pacientët dhe opozita në Lipjan e kanë akuzuar udhëheqjen e QKMF-së dhe Komunën për mosreagim derisa kjo çështje është në kompetencat e tyre.