Maturantët e Lipjanit me protestë kërkojnë ekskursionin në shtator

LipjanPostuar: 12:43 / 18.09.2017

Zvarritja e procedurave tenderuese për ekskursionin e katër shkollave të mesme të Lipjanit ka nxitur reagimin e maturantëve. Për këtë shkak, nxënësit kanë protestuar, duke kërkuar që ekskursioni të mbahet në shtator.

Semir Gashi, drejtor i gjimnazit “Ulpiana” në Lipjan, ka thënë se pak javë më parë këshilli i shkollës pa pëlqimin e maturantëve ka vendosur që ekskursioni për Shqipëri të organizohet në muajin maj të vitit të ardhshëm, dhe shkaku i këtij vendimi deri tashti nuk është iniciuar asnjë procedurë tenderuese për transport dhe rezervim të hotelit, shkruan sot Koha Ditore.

Gashi, ka shpjeguar se udhëzimi administrativ i MASHT-it ia jep mundësinë secilës shkollë që ekskursioni në Shqipëri të organizohej në periudhën prill-maj apo shtator-tetor. “Takimin të cilin e kemi mbajtur me këshillin e shkollës e kemi parë të arsyeshme që ekskursioni i maturantëve të organizohet në muajin maj të vitit të ardhshëm, dhe për këtë arsye nuk kemi iniciuar ndonjë procedurë të tenderimit.

Organizimi i ekskursionit në këtë periudhë kohore po i çrregullon të gjithë maturantët nga procesi mësimor”, ka thënë Gashi.

Sidoqoftë Gashi, ka thënë se sot (e hënë), do ta organizojë edhe një takim me këshillin e shkollës dhe këshillin e nxënësve për t’i marrë mendimet e tyre lidhur me këtë ekskursion..