PDK-ja në Lipjan akuzon AKR-në për subvencionim militantësh

LipjanPostuar: 09:52 / 13.09.2018

Subjekti më i madh opozitar PDK-ja dhe fermerët e Komunës së Lipjanit kanë akuzuar sektorin e Bujqësisë për shpërndarjen e 140 kultivatorëve për simpatizantë dhe militantë të subjektit të AKR-së. Pas publikimit të listave të përfituesve në këtë proces, janë deponuar mbi dhjetë ankesa zyrtare brenda afatit kohor në Komunë.

Ndërkaq, nga ana tjetër përfaqësuesit e subjektit të LDK-së, e cila udhëheq Komunën në bashkëqeverisje me AKR-në, kanë thënë se Drejtorisë së Bujqësisë nuk ua kanë drejtuar asnjë referencë për të përfituar militantët e LDK-së, shkruan Koha Ditore.

Faton Rizani, banor nga fshati Krojmir i Komunës së Lipjanit, ka deklaruar se me kohë i ka plotësuar të gjitha kriteret për ta përfituar një kultivator nga Komuna në vlerë prej 330 eurosh, mirëpo si kusht shtesë në mënyrë jozyrtare ia kanë kërkuar librezën e anëtarësisë së AKR-së.

Lulzim Rrustemi, shef i Grupit të këshilltarëve në KK nga radhët e PDK-së, njëherësh nënkryetar i këtij subjekti në Lipjan, ka thënë se qeverisja lokale, pikërisht Drejtoria e Bujqësisë me rastin e shpërndarjes së moti-kultivatorëve si zakonisht ka bërë diskriminim mbi baza politike.

Shefqet Amerllahu, drejtor për Bujqësi në Komunën e Lipjanit, i ka hedhur poshtë akuzat e opozitës. /InfoKomuna/