Për 2 muaj mbyllen 22 bastore sportive në Lipjan

LipjanPostuar: 11:36 / 04.02.2019

Inspektorati i Komunës së Lipjanit ka publikuar raportin për periudhën janar-dhjetor të vitit 2018, nëpërmjet të cilit ka njoftuar për një varg aktivitetesh të zhvilluara në interes të qytetarëve.

Sipas raportit, gjatë muajve nëntor dhe dhjetor Inspektorati ka mbyllur 22 bastore sportive, dhe janë identifikuar dhjetë të tilla të cilat i kanë dëmtuar shenjat zyrtare të ATK-së dhe Komunës.

Sipas raportit gjatë muajit dhjetor Inspektorati ka përcjellë punën në bazë të planit dinamik të paraparë për periudhën janar-dhjetor. I tërë aktiviteti dhe angazhimi janë përqendruar në të gjitha objektivat e parapara, shkruan sot Koha Ditore.

“Në agjendë kemi pasur identifikimin e bizneseve të reja të paregjistruara dhe pa pranime tekniko-sanitar me qëllim të njoftimeve dhe sugjerimeve për t’u pajisur me leje pune. Inspektorët e tregut dhe sanitarë kanë realizuar aksione të shumta në lidhje me inspektimin e bastoreve, të cilat operojnë në Lipjan dhe në fshatrat e Komunës sonë. Gjatë këtyre aksioneve në dhjetor janë përcjellë rastësisht për dëmtimin e shenjave zyrtare. Nga 22 bastore të mbyllura në javën e fundit të nëntorit nga inspektorët e ATK-së dhe ata komunal janë identifikuar 10 bastore që i kanë dëmtuar shenjat zyrtare”, thuhet në raportin e Inspektoratit.

Sipas këtij raporti për këto aktivitete është njoftuar Administrata Tatimore e Kosovës, ndërkaq, inspektorët komunalë kanë bërë edhe kallëzim penal për të gjithë pronarët e këtyre subjekteve ekonomike. Një raport i tillë i është bërë ATK-së.