Shënohet Dita e çlirimit në Lipjan

LipjanPostuar: 14:28 / 12.06.2019

Me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Komunës së Lipjanit, kanë nisur aktivitetet për shënimin e kësaj dite të rëndësishme duke filluar me një seancë solemne të Kuvendit të Komunës së Lipjanit.

Kryesuesi i Kuvendit të Komunë së Lipjanit Daut Azemi, në hapje të kësaj mbledhje ka përshëndetur të gjithë të pranishmit duke i uruar për 20-Vjetorin - Ditën e Çlirimit të Komunës së Lipjanit.

Ndërsa në vazhdim fjalën e mori Kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, i cili tha se sot po shënjojmë 12 Qershorin Ditën e Çlirimit të vendit tonë të komunës tonë, ditën e frymimit lirshëm pas rrugëtimit tonë të gjatë shekullor, pas shumë vuajtjeve e sakrificave të brezave të tërë.

“Është ditë e veçantë për të reflektuar për flijimet e panumërta në themelet e lirisë, shtetformimit, shtetndërtimit e demokracisë. Dhe për t’iu shfaqur edhe një herë mirënjohjen më të thellë të gjithë atyre që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës dhe të gjithë atyre faktorëve ndërkombëtarë, sidomos Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të NATO-s dhe vendeve të Bashkimit Evropian, që e bënë të mundur lirinë e Kosovës".

"Edhe kjo ditë e rëndësishme për vendin tonë si sot e përherë do shënjohet jo vetëm në kujtim të ndjenjës së lirisë por edhe reflektim për detyrimin e respektit, kujtimit e nderimit të gjithë organizimeve ndërshqiptarë për të ndërtuar shtet e mvetsi ndër gjenerata, për të sublimuar lirinë tonë, djemtë dhe vajzat dëshmorë e martirë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Kryetari Ahmeti duke shtuar se e përgjithmonë do të respektohet e nderohet vepra, kontributi i gjeneratave të tëra për lirinë e vendit, sepse ata e bënë historinë, ata i dhanë kuptim, vlerë, lirisë, sepse dizajnuan, unifikuan ditën punuan në trojet tona e për atdheun tonë edhe me miq ndërkombëtarë që vendi ynë të gëzoj lirinë dhe pavarësinë.

“Të tillë do të mbesin e ne jemi krenar që do t’i nderojmë si: Ibrahim Rugova e Adem Jashari, Sali Qeku e Agim Ramadani, Zahir Pajaziti e Hamëz Jashari, Ismet Asllani e Ruzhdi Shabani, Hajredin Bajrami e Ibrahim Krasniqi, Lulzim Llugiqi e Gafurr Hyseni, Xhavit Kozhani e Xhevdet Breznica,Avdi Kelmendi e shumë e shumë patriot e atdhetar, dëshmorë e martirë të vendit tonë”. Ai ka shtuar tutje se sot kur po shënojmë 20 vjetorin e Ditës së Çlirimit të vendit tonë, mund të themi që vendi ynë ka shënuar progres, megjithatë sfidohet në shumë fusha
20 vjet çlirim janë pak për të ndërtuar demokraci të përsosur apo ideale, por 20 vjet liri nuk janë pak për të avancuar e normuar ligjërisht vlerat e demokracisë,për të ndërtuar një shtet të mirëfilltë ligjor".

"Përgjegjësinë e kemi ne dhe llogaridhënien të kërkojmë mes nesh, e jo tek të tjerët, shtëpinë tonë duhet ruajtur e mirëmbajtur përgjegjshëm NE duke kultivuar partneritet me miqtë tanë. Së pari duhet ne te jemi të përgjegjshëm e pastaj të kërkojmë që të tjerët të sillen korrekt me ne. Gjatë këtyre 20 vjet të lirisë edhe Komuna e Jonë, ka shkuar me ritme të shpejta të zhvillimit kështu që sot Lipjani është një qytet me mundësi reale për t’u zhvilluar ku mund të jetohet e punohet lirshëm e me dinjitet. Prandaj, të punojmë që të ndërtojmë Lipjanin mikpritës, të qëndrueshëm, lehtë të arritshëm dhe efikas me vetëbesim, për një komunë të dinjitetshme me një ambient optimist dhe shumë motivues për jetuar e punuar me nder". /InfoKomuna/