Ujërat e zeza vërshojnë pronat e banorëve të Bregut të Zi

LipjanPostuar: 11:55 / 27.02.2019

Prej më shumë se dy muajsh banorët e fshatit Bregu i Zi në Komunën e Lipjanit po përballen me problemin e ujërave të zeza, që kanë vërshuar sipërfaqen në lagjen “Avdullahu”.

Për këtë projekt Komuna e Lipjanit para pak kohësh pati ndarë gjithsej 77 mijë e 903 euro, mirëpo gropat skeptike ende nuk janë finalizuar.

Ndërkohë rrjedha e ujërave të zeza po kalon nëpër oborre të shtëpive dhe deri tashti askush nuk ka intervenuar për ta bërë një zgjidhje. Sipas banorëve, kundërmimi i fekaleve po e vështirëson qarkullimin dhe jetesën e tyre, andaj rastin tashmë e kanë paraqitur edhe në Policinë e Kosovës në Stacionin e Lipjanit, shkruan sot Koha Ditore.

Ismajl Avdullahu, banor i fshatit Bregu i Zi, ka thënë se po përballen me telashe të kanalizimit, ndërkohë organet kompetente nuk po intervenojnë për ta bërë një zgjidhje.