Malishevë, u përuruan fushat sportive në Maxharrë dhe Kërvasari

MalishevëPostuar: 11:44 / 14.09.2017

Në kuadër të investimeve të Komunës së Malishevës, në arsim dhe në sport, sot në fshatrat Maxharrë dhe në shkollën në Kërvasari, janë përuruar fushat e sportit, të cilat do të jenë të shërbim të nxënësve dhe sportdashësve të këtyre fshatrave.

Përurimin e fushave, e kanë bërë drejtori i arsimit Avdi Morina dhe ai i urbanizimit, Ahmet Morina, kurse në përurim kanë marrë pjesë edhe qytetarë të këtyre fshatrave, si dhe mësimdhënës, nxënës e sportdashës.
 
Në hapjen e fushës së sportit në Maxharrë, drejtori i urbanizimit Ahmet Morina, tha se “fusha sportive dhe infrastrukturë për rininë, do të bëjmë në të gjitha vendbanimet, edhe në fshatra ku nuk ka shkolla, por që kanë të rinj, të cilët kanë nevojë për zhvillimin e aktiviteteve të lira, pasi janë pjesë e komunës sonë dhe qëllim i yni është që rinia të jetë e angazhuar në aktivitete, si në këtë rast, të merren me sport”.

Vlen të theksohet se në Maxharrë, falë edhe mërgimtarëve, ekipet e futbollit të këtij fshati, janë pajisur edhe me ndërresa dhe pajisje tjera sportive.
Ndërsa në prerjen e shirit të fushës së sportit në shkollën e fshatit Kërvasari, drejtori i arsimit Avdi Morina, tha se “ndërtimi i infrastrukturës së përgjithshme në shkollat e Komunës së Malishevës, është një obligim i yni, të cilin jemi duke e realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme”. “Kemi ndërtuar apo jemi në ndërtim e sipër të pesëmbëdhjetë objekteve  shkollore dhe infrastrukturës përcjellëse, si fusha të sportit, apo salla të sportit, kurse duke filluar nga viti i ardhshëm, fokus i yni do të jetë pajisja e shkolla me kabinete dhe laboratorë, me qëllim të rritjes së cilësisë në arsim”, tha drejtori Morina.

Përndryshe, sipas drejtorit të urbanizimit, Ahmet Morina, ndërtimi i këtyre fushave të sportit, njëra në shkollën e Kërvasarisë dhe tjetra në fshatin Maxharrë, janë ndërtuar nga buxheti komunal i Malishevës dhe kapin një shumë prej rreth 50 mijë eurove.
/InfoKomuna/