Afro 400 nxënës kanë braktisur shkollimin për një vit në Malishevë

MalishevëPostuar: 10:53 / 20.02.2019

Braktisja e shkollimit si pasojë e migrimit nga nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Malishevës gjatë vitit të shkuar po vlerësohet si shqetësuese nga këshilltari i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Komunës, Alban Krasniqi.

Ky i fundit, duke iu referuar raportit të Drejtorisë së Arsimit, ka bërë të ditur se në vitin 2018 në këtë komunë rreth 400 nxënës kanë braktisur shkollimin, kryesisht si pasojë e largimit nga Kosova.

Kjo shifër është konfirmuar edhe nga zyrtarët e Komunës së Malishevës, shkruan Koha Ditore.

Anëtari i KK-së nga radhët e LVV-së, Alban Krasniqi, përmes rrjeteve sociale ka shprehur qëndrimin se shifrat e dhëna në raportin e Drejtorisë së Arsimit në Malishevë paraqesin dukurinë e largimit të nxënësve në përmasa shqetësuese, sidomos nga shkollat e mesme të larta.