Begaj: Do të ofrojmë shërbim arsimor më cilësor

MalishevëPostuar: 11:41 / 04.09.2017

Kryetari i Komunës së Malsihevës, Ragip Begaj, ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit.

Në urimin e kryetarit Begaj thuhet se sot fillon dita e parë e shkollës për të gjithë nxënësit, por emocioni më i veçantë është për ata fëmijë që sot provojnë ndjesinë e të qenit nxënës për herë të parë, si dhe gjimnazistë në klasën e dhjetë.

"Me shumë ndjesi urojmë të gjithë trupën mësimore në çdo shkollë të Komunës së Malishevës, e cila me profesionalizëm dhe përkushtim për punën, do të mundësojë edhe këtë vit shkollor një shërbim arsimor më cilësor për fëmijët e besuar në duart e tyre".

"Risia e këtij viti fillon me kurrikulën e re të zbatuar në kompetenca. Çdo angazhim dhe përkushtim, kanë vetëm një qëllim kryesor, cilësinë".

"Komuna e Malishevës, do të ofrojë gjithë bashkëpunimin dhe angazhimin e mundshëm për një mbarëvajtje sa më korrekte të procesit mësimor, duke pasur si partnerë më të mirë prindërit dhe komunitetin, kjo në kuadër të nismës 'Shkolla qendër komunitare', ku si shembull pozitiv do të shërbejnë çmimet e fituar në rang Kombëtar, të Republikës së Kosovës, nga nxënësit e Komunës së Malishevës", thuhet në urimin e Begajt.

"Le të punojmë për të edukuar qytetarë të denjë, për të mësuar nxënës të shkëlqyer, për të patur institucione arsimore në shkallshmërinë e shkollave më të mira në Republikën e Kosovës. Kështu do kemi kryer detyrën tonë si prindër, mësues e punonjës. Ju urojmë dhe njëherë: Suksese dhe një vit të mbarë shkollor 2017-2018”, thuhet në urimin e kryetarit Begaj./InfoKomuna/