Bujqësia, prioritet i komunës së Malishevës

MalishevëPostuar: 15:41 / 07.11.2017

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Murat Hoxha, sot kanë vizituar fermerin Albison Hoti, i cili ka ndërtuar një prej stallave më të mira dhe më modernet, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Begaj dhe Hoxha, e kanë përkrahur fermerin Hoti, për punën dhe angazhimin e tij në rritjen e kapaciteteve të fermës dhe për ndërtimin e kësaj stalle moderne, të cilin e kanë cilësuar si një shembull i mirë i punës në bujqësi, përkatësisht në blegtori, ku krahas rritjes së fermës, ai ka punësuar edhe pesë punëtorë të tjerë, të cilët do të jenë të angazhuar në fermë”, thuhet në komunikatë.

Begaj tha se, “sektori i bujqësisë do të vazhdojë të mbetet një prej prioriteteve në zhvillimin e Komunës së Malishevës dhe për këtë edhe përkrahja nga komuna, nuk do të mungojë”.

Nga ana tjetër, pronari i kësaj ferme, Albison Hoti, tha se, “ferma ka një hapësirë prej 840 metra katrorë dhe ka kapacitet për mbajtjen e njëqind krerë të lopëve, ndërsa ferma është e pajisur me teknologjinë më moderne”.

“Kam punësuar pesë punëtorë me dokumentacion të rregullt dhe synimet tona janë që të rrisim numrin e të punësuarve, krahas rritjes së kapaciteteve në fermë”, tha Hoti.