Fushatë vetëdijesimi e nxënësve për kujdes ndaj rriqrave

MalishevëPostuar: 09:42 / 12.04.2018

Autoritetet lokale kanë njoftuar se nga e marta në shkollat e Komunës së Malishevës ka nisur fushata e mbajtjes së ligjëratave për vetëdijesimin e nxënësve, për kujdesin nga kontakti me rriqra, si dhe në rast të pickimeve se si duhet të veprojnë.

Mbajtja e këtyre ligjëratave, sipas tyre, mbahet në kuadër të zbatimit të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime- kongo (EHKK).

“Ligjëratat nëpër shkolla të Komunës së Malishevës janë duke i mbajtur mjekët dhe personeli shëndetësor nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Malishevës. Ligjëratat do të mbahen në të gjitha shkollat e Komunës së Malishevës, pasi kjo është prej masave për luftimin dhe parandalimin e EHKK-së, sepse në mënyrë të veçantë fëmijët vetëdijesohen se si duhet të veprojnë në rast të pickimit nga rriqrat, por edhe se si t’iu shmangen kontakteve me rriqrat”, thuhet në një komunikatë të Zyrës së informimit të Komunës së Malishevës.

Aty theksohet se ligjërata në shkollën fillore "Hilmi Hoti" në Carrallukë është përcjellë nga afër edhe nga nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, dhe nga drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Liridon Hoti.