Investitori italian interesohet për hapjen e një fabrike në Malishevë

MalishevëPostuar: 09:11 / 18.05.2018

Sipërmarrësi italian, Pierpaolo Cavaglieri, i njohur për kultivimin e bimëve bujqësore që përdoren në industrinë e ushqimeve, përkatësisht ëmbëlsirave, ka vizituar dje Komunën e Malishevës, ku është takuar me nënkryetarin e komunës, Hajdin Berisha dhe drejtorin për bujqësi, Murat Hoxha.

Ai ka shfaqur interesimin e tij për të investuar në Malishevë, në kultivimin e bimëve, që përdoren në industrinë e ushqimeve.

Nënkryetari Berisha dhe drejtori Hoxha, e kanë njoftuar biznesmenin italian, me kushtet dhe mundësitë që ka Komuna e Malishevës, në bujqësi dhe për mundësitë e bashkëpunimit me bujqit lokal, me qëllim të kultivimit të kulturave bujqësore, përfshi edhe kulturat në të cilat ky biznesmen është i interesuar.

Nga ana tjetër, Pierpaolo Cavaglieri, ka thënë se ai është i interesuar për kultivimin e këtyre kulturave bujqësore, duke filluar nga mbjellja e fidanëve, nxjerrja në treg e këtyre kulturave, e deri te hapja e një fabrike për përpunimin e tyre.

Po ashtu, ky sipërmarrës italian, ka thënë se e gjitha kjo do të arrihej në bashkëpunim me bujqit nga Komuna e Malishevës. /InfoKomuna/