Komuna e Malishevës, i bën tri familje me shtëpi për banim

MalishevëPostuar: 13:41 / 15.11.2018

Të enjten, në përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, është bërë dorëzimi i çelësave së shtëpive për tri familje.

Kështu thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës, duke theksuar se i pari i kësaj komune i ka uruar tri familjet për shtëpitë e reja.

“Çdo shtëpi e re dhe sigurimi i banimit për secilin banorë të komunës sonë, na gëzon edhe neve, pavarësisht nëse e ndërton komuna, apo ndërtohen përmes donacioneve, pasi me rëndësi është sigurimi i banimit për  të gjitha ato familje që kanë nevojë”, tha Begaj.

Sipas tij, këto shtëpi janë në mesin e 13 shtëpive që kanë ndërtuar këtë vit, ku përmes këtyre investimeve po ju sigurojmë banimin për këto familje dhe në të njëjtën kohë edhe po ju ndihmojmë edhe në krijimin e kushteve më të mira për jetë.

“Krahas këtyre investimeve, jemi duke ndërtuar edhe qendrën e banimit social, ku mbi dyzetë familje tjera do të jenë përfitues dhe besoj që përfundimisht do të zgjidhet problemi i banimit për shumicën e rasteve që kanë nevojë për banim”, ka theksuar Begaj, me rastin e përurimit të tri shtëpive në tri fshatra të Komunës së Malishevës.

Ndryshe, me shtëpi të re janë bërë familjet e Hamëz Halilajt nga Llapçeva,  Jakup Berishës nga Berisha dhe Muhamet Morina nga Drenoci (i cili jeton i vetëm), ndërsa ndërtimi i shtëpive për këto familje është mundësuar nga buxheti i Komunës së Malishevës. /InfoKomuna/