Kryetari Begaj dhe anëtarët e kuvendit dhanë betimin

MalishevëPostuar: 12:01 / 18.12.2017

Kuvendi i Komunës së Malishevës ka mbajtur mbledhjen konstituive, ku 31 anëtarët kuvendit e kanë dhënë betimin, si dhe e kanë nënshkruar deklaratën e betimit. Po ashtu edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e ka dhënë betimin para anëtarëve të Kuvendit të Komunës.

Kuvendi i Komunës së Malishevës, ka gjithsejtë 31 anëtarë, ndërsa kjo legjislaturë përbëhet nga pesë subjekte politike, transmeton InfoKomuna.

NISMA me 11 anëtarë, PDK me 9 anëtarë, LDK me 6 anëtarë, VV me 4 anëtarë dhe AAK me 1 anëtar. Mbledhja e parë është drejtuar nga Hidajete Mazreku, si anëtarja më e vjetër e kuvendit.

Në fjalën e tij, kryetari i rizgjedhur i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, u zotua se do të punoj për qytetarin dhe do t'i zbatoj në përpikëri ligjet dhe vendimet që dalin nga Kuvendi i Komunës, duke i ftuar të gjithë anëtarët e Kuvendit, që të bashkëpunojnë  për ti realizuar interesat e qytetarëve të Komunës së Malishevës.

Begaj, u zotua se do të angazhohet maksimalisht, për mirëqenien e qytetarëve të Komunës së Malishevës, ku prioritet të jetë bujqësia, shëndetësia, infrastruktura shkollore, rrugore, rrjetet e kanalizimit dhe ujësjellësve, pastaj rinia, kultura dhe sporti, gjithashtu do të jenë në qendër të vëmendjes përmes përkrahjes konkrete.