Kuvendi Komunal jep në shfrytëzim pishinat në Banjë të Malishevës

MalishevëPostuar: 14:25 / 10.05.2018

Kuvendi i Komunës së Malishevës, sot ka mbajtur mbledhjen e dytë të jashtëzakonshme për këtë vit. Në këtë mbledhje, KK i Malishevës, ka miratuar kërkesën e kryetarit të Komunës së Malishevës, për fillimin e procedurave për dhënien në shfrytëzim të pishinave në Banjë.

Në këtë vendim, përveç hapjes së procedurave, KK ka vendosur që pishinat në jepen në shfrytëzim deri më 31 dhjetor 2018, me vlerën minimale prej 18 mijë euro, si dhe mundësia që sipas ligjeve, kategoritë e caktuara sociale të lirohen prej pagesë, sikurse edhe klubit të notit "Besa", t'i mundësohet zhvillimi i ushtrimeve pa pengesë, transmeton InfoKomuna.

Në këtë mbledhje, KK i Malishevës, me shumicë të votave ka refuzuar kërkesën tjetër të kryetarit për shpalljen në interes publik të pronave private, sipas Elaboratit të shpronësimit dhe këmbimin e pronës së paluajtshme komunale me pronën e paluajtshme në pronësi të personave fizik, e që ka të bëjë me rregullimin e shtratit të lumit Mirusha, në kuadër të masave për parandalimin e vërshimeve dhe përmbytjeve që shkaktohen nga të reshurat atmosferike. /InfoKomuna/