Nis rregullimi i rrugës dhe rrethojës së oborrit në QMF të Llazicës

MalishevëPostuar: 14:26 / 19.04.2018

Në kuadër të investimeve në rregullimin e infrastrukturës përcjellëse në fushën e shëndetësisë, sot ka filluar realizimi i projektit për hapjen dhe rregullimin e rrugës për Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) në fshatin Llazicë të Komunës së Malishevës. Në kuadër të këtij projekti do të rregullohet edhe rrethoja e oborrit të këtij objekti shëndetësor.


Në fillimin e punimeve morën pjesë edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori komunal për urbanizëm, Islam Vrenezi, të cilët panë nga afër fillimin e punimeve.

“Kjo qendrën e mjekësisë, ka rëndësi të madhe për fshatin Llazicë dhe fshatrat përreth, dhe pavarësisht objektit dhe kushteve të mira që janë, rruga ka qenë problemi kryesor, prandaj sot po e hapim këtë rrugë, e cila do të jetë tërësisht në shërbim të QMF-së dhe banorëve të kësaj ane, të cilët kanë nevojë për shërbimet shëndetësore”, tha kryetari Begaj.

Ai shprehi përkushtimin për krijimin e kushteve sa më të mira dhe rregullimit të infrastrukturës së përgjithshme, që është në shërbim të qytetarëve të Komunës së Malishevës.

Drejtori i urbanizmit, Islam Vrenezi, tha se “kjo rrugë do të hapet dhe rregullohet në tërësi, sikur edhe rrethoja, në mënyrë që objekti shëndetësor të jetë i siguruar dhe të ketë kushte normale për punë. Ndërtimi i rrugës dhe rrethojës, është investim nga buxheti i Komunës së Malishevës”. /InfoKomuna/