Shqetësuese mbetet mos-repelimi i kafshëve në Malishevë

MalishevëPostuar: 10:56 / 16.04.2018

Në mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve në Malishevë, janë trajtuar shumë çështje, ndërsa shqetësim kryesor doli të jetë mos fillimi i fushatës së repelimit të kafshëve, si masa më efikase në luftimin dhe parandalimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHKK).

Aty u kërkua nga organet kompetente që të fillojnë sa më shpejt të realizojnë repelimin, që tashmë është dashur të jetë në fazën e dytë të saj, raporton InfoKomuna.

Fillimisht drejtori komunal për Bujqësi, Murat Hoxha e ka paraqitur këtë problem, i cili tha “se është tepër shqetësuese që kafshët nuk janë repeluar, pasi kjo do ta ndihmoj në masë të madhe vazhdimin e ciklit tek rriqrat, të cilët janë bartës të virusit”.

Sipas tij, faza e parë e repelimit është dashur të jetë e kryer dhe tani do të duhej të fillohej me fazën e dytë.

Edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili është edhe pjesë e Këshillit Ndërministror, repelimin e kafshëve e ka vlerësuar si masën më të efektshme në parandalimin e EHKK dhe ka kërkuar edhe njëherë që organet kompetente, të veprojnë sa më shpejtë, në mënyrë që të mos përsëriten situatat e viteve të mëhershme, kur virusi vdekjeprurës zhvillohej dhe merrte jetë njerëzish.

Sa i përket EHKK, pjesa që është kompetencë e komunës, është duke u realizuar, siç janë ligjëratat e vetëdijesimit, pastaj ofrimi i shërbimeve shëndetësore në rastet e thumbimeve, si dhe komuna është e përgatitur për pjesën e saj të dezinsektimit të zonave endemike.

Përndryshe, në mbledhjen e sotme të Këshillit të drejtorëve, drejtorët e drejtorive komunale, i kanë prezantuar aktivitete e tyre në sektorët e caktuar, duke filluar nga realizimi i projekteve, ku janë duke u realizuar disa nga projektet e planifikuara, ndërsa sot dhe ditët në vijim, pritet të fillojnë të realizohen edhe disa projekte tjera.

Gjatë raportimeve të drejtorëve, u tha se pastrimi i ambienteve në të gjitha vendbanimet, është një punë dhe e madhe dhe është duke vlerësuar shumë, por problem janë duke sjellë mbeturinat inerte, që qytetarët i hedhin pa vend.

Ndërprerja e ndërtimeve pa leje, është duke u menaxhuar mirë, ndërsa së shpejti pritet që edhe uzurpimet e mëhershme të regjistrohen dhe të lirohen hapësirat, si dhe ndërtimet pa leje përgjatë rrjedhës së lumit Mirusha, është paralajmëruar se do të largohen.

Në fushën e arsimit dhe të kulturës, krahas aktiviteteve të përditshme dhe mbajtjes së testit PISA, javën e kaluar janë mbajtur garat në lëndën e fizikës, për të dy nivelet e arsimit, ndërsa janë duke vazhduar garat shkollore në sport dhe të gjitha këto po zhvillohen sipas planifikimeve.