Bahtiri kërkon nga drejtorët që Mitrovicën ta bëjnë qytetin më të pastër në Kosovë

MitrovicëPostuar: 13:19 / 10.09.2018

Në komunën e Mitrovicës, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, në të cilën janë diskutuar dhe shqyrtuar çështje të rëndësishme nga fushëveprimi i Bordit dhe drejtorive komunale, njofton kumtesa e komunës, përcjell InfoKomuna.

Fillimisht fjalën e mori drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Hysni Ahmeti, i cili informoi për aksionin e ndërmarrë nga kjo drejtori ditë më parë për rrënimin e 4 shtëpive tek Liqeni Akumulues, duke theksuar se gjatë realizimit të aksionit nuk ka pas probleme. Ai bëri të ditur se gjatë kësaj jave do të vendoset edhe për rrënimin e dy shtëpive të tjera që gjenden në afërsi të Liqenit Akumulues.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se ka konsideratë për familjarët të cilëve ju kanë rrënuar shtëpitë, mirëpo ky vendim është marrë në harmoni me ligjin dhe me pëlqimin e Kuvendit Komunal, me qëllim të të vazhdimit me realizimin e projekteve madhore të cilat do t’ia shtojnë bukurinë qytetit të Mitrovicës.

Ai, po ashtu, tha se projekti për ndërtimin e shtëpive për familjet me gjendje të rëndë ekonomiko-sociale do të realizohet ashtu sikur është parapa dhe këtë nuk mund ta ndaloj askush.

“Vendimet e Kuvendit të Komunës nuk mund t’i ndryshoj askush, pa marrë parasysh presionet dhe shantazhet që mund të vijnë nga njerëz apo grupe të ndryshme që i bëjnë për interesa të tyre”, ka thënë Bahtiri.

Në mbledhje u diskutua edhe për organizimin e aktiviteteve për aksionin “Ta pastrojmë Kosovën” të organizuar nga Qeveria e Kosovës. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Asllan Isufi, tha se nga 15 shtatori do të organizohet aksioni masovik për pastrimin e mbeturinave në gjithë Kosovën, ndërsa ky aksion në Mitrovicë do të zhvillohet nga 1 tetori deri më 13 tetor të këtij viti.

Isufi bëri të ditur se Komuna i ka bërë të gjitha përgatitjet për realizimin e këtij aksioni me qëllim që Mitrovica të jetë një qytet sa më i pastër, andaj kërkon që edhe qytetarët të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e një mjedisi sa më të pastër dhe t’i bashkëngjiten aksionit.

Gjithashtu, Bahtiri duke u ndërlidhur me këtë çështje, tha se në aksion duhet të japin kontributin e tyre edhe të gjitha drejtoritë komunale, në mënyrë që aksioni të përfundoj me sukses dhe që Mitrovica të jetë përfituese e grandit për komunat që tregojnë performancë më të mirë.

Isufi, po ashtu, i njoftoi të pranishmit edhe në lidhje me organizimin e Javës Evropiane të Lëvizshmërisë, të organizuar nga MMPH e cila do të mbahet të dielën me datën 16.09.2018, në ora 10:00, para Komunës së Mitrovicës, ku i pranishëm do të jetë edhe ministri për Mbrojtjen e Mjedisit, Fatmir Matoshi.

Këtë ditë preferohet që qytetarët të përdorin sa më pak makinat e tyre dhe të lëvizin me këmbë dhe biçikleta.