Komuna e Mitrovicës i fshin borxhet e veriut në taksat komunale

MitrovicëPostuar: 16:21 / 10.04.2018

Bordi i Drejtorëve të Komunës së Mitrovicës sot ka mbajtur mbledhjen e radhës nën kryesimin e nënkryetarit Faruk Mujka.

Sipas komunikatës dërguar mediave nga Zyra për Komunikim e kësaj komune, drejtori për financa Shukri Gashi, ka njoftuar ekzekutivin lidhur me vendimin për fshirjen e borxheve në sistemin e taksave komunale për pjesën veriore.

Mirëpo, këtu nuk është sqaruar më tutje kjo çështje.

Drejtori Gashi, njëkohësisht njoftoi ekzekutivin  se inkasimi i tatimit në pronë është rritur për 40%.

Në anën tjetër drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, edhe në këtë mbledhje ka trajtuar çështjen e sanimit të dëmeve tek varrezat e dëshmoreve. Me këtë rast ekzekutivi u dakordua që të ndiqen procedurat e rregullta të tenderimit, që për hir të familjarëve dhe qytetarëve të komunës sonë, sa më shpejtë të sanohen dëmet tek varrezat e dëshmorëve.

Ndërsa nga Drejtori i Mjedisit, Asllan Isufi, është njoftuar që nga nesër në tërë qytetin e Mitrovicës do të filloj vendosja e kontejnerëve të rinj, ndërsa të premten do të këtë edhe një ceremoni ku të pranishëm do të jenë edhe përfaqësues të Gizit.