Komuna e Mitrovicës rrit hapësirën e parkimit të automjeteve

MitrovicëPostuar: 11:44 / 22.05.2018

Komuna e Mitrovicës thotë se është në rrugë të mbarë për të zgjedhur problemin e parkimit të automjeteve të qytetarëve në qendrën e qytetit.

Drejtori i Infrastrukturës dhe Shërbimeve Publike, Naser Muja ka bërë të ditur se tashmë është lëshuar për shfrytëzim të qytetarëve parkingu për automjete në objektin e ri afarist (biznesor), ngjitur me Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” dhe fare afër urës kryesore mbi lumin Ibër.

Muja thotë se kapaciteti i parkingut të ri është për mbi 100 automjete, ndërsa çmimi për parking është i volitshëm për qytetarë, vetëm një euro, pa marrë parasysh kohëzgjatjen e parkimit.

Po ashtu, drejtori Muja njofton qytetarët se është lëshuar për shfrytëzim të qytetarëve edhe parkingu ngjitur me tregun e gjelbër, përballë stadiumit të futbollit “Rizah Lushta”, me kapacitet prej rreth 200 vendeve për parkim të automjeteve. Çmimi i parkimit të automjetit në këtë parking është 30 cent për një orë.

“Një parking tjetër shumë i përshtatshëm për qytetarë, me mbi 50 vende parkimi dhe çmim prej 1 euro në orë”, thotë drejtori Muja, “është ai ndërmjet Shkollës së Muzikës ‘Tefta Tashko’ dhe Shkollës ‘A.Z. Çajupi’”.

Ndërkaq, shton drejtori Muja, për ata që çmimi i parkimit ju duket i lartë, kanë mundësi që automjetin e tyre ta parkojnë pa pagesë në parkingun me kapacitet prej rreth 200 automjeteve, afër kompanisë së mbeturinave “Uniteti”, përkatësisht në vendin ku më parë kanë qenë garazhet e Kosovatransit.

“Kur këtyre mundësive t’u shtojmë edhe parkingjet private që janë të shumta në qendrën e qytetit, ku trafiku është mjaftë i ngarkuar, atëherë ne mendojmë se tani shoferët kanë mjaftë mundësi për të parkuar automjetet e tyre në vendet e lejuara dhe të sigurta, ku nuk do të pengojnë askënd dhe as qarkullimin e lirë të automjeteve. Do theksuar patjetër se largësia në mes të këtyre parkingjeve nuk është më e madhe se 600-700 metra, ndërsa që qytetari nga aty mund të mbërrij për më pak se pesë minuta në qendër të qytetit”, thotë ai.

Duke pas parasysh këto mundësi dhe numrin e mjaftueshëm të vendeve për parkimin e automjeteve në parkingjet e lejuara nga autoritetet komunale, Muja apelon tek qytetarët që t’i shfrytëzojnë këto mundësi dhe të mos i parkojnë automjetet e tyre në trotuare dhe vende tjera ku nuk është e lejueshme dhe ku pengohet qarkullimi i automjeteve dhe lëvizja e lirë e qytetarëve.

“Për të pas rend dhe rregull në këtë drejtim, ne jemi në koordinim të përditshëm të aktiviteteve me Policinë e Kosovës me qëllim që të merren masa ligjore ndëshkimi ndaj të gjithë atyre që automjetet i parkojnë në trotuare dhe vende të tjera ku është e ndaluar dhe ku pengohet komunikacioni normal dhe lëvizja e lirë e qytetarëve”, tha në fund drejtori Muja. /InfoKomuna/