Mbi 8 mijë ndërtime pa leje në Mitrovicë, vetëm 42 aplikime për legalizim

MitrovicëPostuar: 15:42 / 22.12.2017

Organizata joqeveritare “Civil Development Organization” (CDO), në prani të zyrtarëve të lartë komunalë nënkryetarit, Faruk Mujka, drejtorëve të Urbanizmit dhe Kadastrit, Sami Zeka dhe Egzon Jashari, përfaqësuesve të ndërtuesve dhe mysafirëve tjerë ka bërë përmbylljen e projektit “Sfidat e Trajtimit të Ndërtimeve pa Leje në Komunën e Mitrovicës së Jugut”.

Përmes një komunikate bëhet e ditur se Merita Mripa nga kjo OJQ ka prezantuar të dhënat rreth hulumtimit të kryer rreth këtij problemi, me qëllim të rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset e vendim-marrjes dhe politikë-bërjes duke identifikuar dhe avokuar sfidat e trajtimit të ndërtimeve pa leje.

“Të dhënat e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përkatësisht raporti nga komunat për fazën e parë të regjistrit si dhe fazën e dytë të aplikimit për legalizim (Kategoria I, II dhe III e ndërtimeve) tregojnë se janë regjistruar 353 685 ndërtime pa leje, ndërkohë që janë vetëm afër 8 493 aplikime për legalizim në tërë Kosovën”, ka thënë Migjen Abrashi duke shtuar se, “në Komunën Mitrovicës së Jugut janë regjistruar mbi 8 000 ndërtime pa leje dhe janë vetëm 42 aplikime për legalizim, ku 17 prej tyre janë legalizuar deri tani”.

Projekti “Sfidat e Trajtimit të Ndërtimeve pa Leje” është implementuar nga Civil Development Organization” (CDO), i cili është projekt i financuar nga BE-ja dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, transmeton InfoKomuna.

Më pas Migjen Abrashi nga organizata CDO ka bërë të ditur se në ketë hulumtim janë përfshirë konkluzionet dhe rekomandimet nga 4 dëgjimet publike dhe 2 debateve të cilat janë realizuar në kuadër të projektit në periudhën Qershor-Dhjetor 2017.

Nnkryetari Faruk Mujka ka përshëndetur organizatorët e projektit “Sfidat e Trajtimit të Ndërtimeve pa Leje në Komunën e Mitrovicës së Jugut”, i cili është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Mitrovicës duke premtuar që hulumtimet e gjetura nga ky projekt do të zbatohen sepse është interes i Komunës së Mitrovicës që përmes legalizimit të ndërtimeve të rritet inkasimi i të hyrave si dhe rregullimi hapësinorë. Ai me tutje ka shtuar që komuna gjithmonë do të jetë e gatshme të mbështes projekte në fusha të tilla.

Edhe drejtorët e Urbanizmit dhe Kadastrit Sami Zeka dhe Egzon Jashari, u falënderuar për një bashkëpunim profesional të treguar gjatë hartimit të këtij projekt të cilët nga kjo OJQ u shpërblyen edhe me nga një mirënjohje për përkushtimin e tyre të treguar në realizimi e këtij projekti. /InfoKomuna/