Mitrovica dhe GIZ nënshkruajnë marrëveshje për Efiçiencën e Energjisë

MitrovicëPostuar: 14:05 / 21.09.2017

Komuna e Mitrovicës ka nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me organizatën gjermane GIZ-GmbH-Projekti i Kosovës për Efiçiencën e Energjisë (KEEP) për krijimin e Sistemit të menaxhimit të energjisë në nivel lokal, transmeton InfoKomuna.

Projektin e kanë nënshkruar Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri dhe menaxheri i programit të KEEP të GIZ-it, Kai Hofmann.

Qëllimi i kësaj marrëveshje është që të sigurohet bashkëpunimi i dakorduar dhe i ngushtë midis palëve nënshkruese për krijimin e sistemit për menaxhimin komunal të energjisë, bazuar në marrëveshjen për zbatimin e projekteve për bashkëpunim teknik të datës 29.08.2017, në mes të GIZ-it dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës.

Me marrëveshjen e nënshkruar parashihet që KEEP-GIZ të mbështet Komunën e Mitrovicës në krijimin e sistemit komunal të menaxhimit të energjisë, të ofroj shërbime këshillëdhënëse dhe të ekspertizës teknike, zhvillimin dhe sigurimin e ndërtimit të kapaciteteve etj.

Ndërsa, Komuna e Mitrovicës është përgjegjëse për themelimin e Zyrës Komunale për Energji (ZKE), ose emërimin e një zyrtari në pozitën e menaxherit komunal të energjisë, hartimin e rregullores së punës të ZKE etj.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme marrëveshjen e nënshkruar dhe gatishmërinë e GIZ-it për të ndihmuar Mitrovicën në këtë drejtim. Ai është zotuar se Komuna do të përmbush të gjitha obligimet e veta dhe ka falënderuar përfaqësuesit e GIZ-it për bashkëpunim.
/InfoKomuna/