Mitrovica ofron mbështetje për personat me aftësi të kufizuara

MitrovicëPostuar: 14:29 / 03.12.2018

Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, komuna e Mitrovicës ka treguar se vazhdon të mbështesë Handikos-in.

Nënkryetari i komunës, Faruk Mujka është pritur nga drejtuesja e Handikos-it, Myrvete Hasani.

Qëllimi i këtij takimi ishte që të njihen më shumë me gjendjen aktuale të kësaj kategorie të qytetarëve dhe kushtet me të cilat vepron Handikos-i në Mitrovicë.

Hasani falënderoi përfaqësuesit komunal për vizitën dhe interesimin e tyre, duke thënë se tani organizata e tyre ka gjithsej 550 persona me aftësi të kufizuar prej të cilëve 150 janë fëmijë, që jetojnë në kushte jo të mira dhe presin që në të ardhmen kjo gjendje të ndryshoj.

“Ne jemi të vetëdijshëm se komuna ka vështirësi të mëdha në funksionimin e saj, për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm dhe gjendjes së rëndë në të cilën jetojnë një numër i madh familjesh. Mirëpo, megjithëkëtë, në mungesë të mjeteve, nuk kemi realizuar edhe shumë aktivitete të domosdoshme për anëtarësinë tonë”, tha ndër të tjerash Hasani.

Nënkryetari Mujka tha se komuna është shumë e interesuar që të krijoj kushte sa më të mira jetese edhe për personat me aftësi të kufizuar.

“Ne si institucion jemi shumë të interesuar që ju të keni një jetë sa më të lehtë dhe të keni kushte për aktivitete. Prandaj ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që është e mundur, që të ju mbështesim, ani pse jemi të vetëdijshëm se deri më tani kjo mbështetje nuk ka qenë e mjaftueshme”, shtoi nënkryetari Mujka.