Mitrovicë, riparimi i shkollës s'ka filluar, mësimi me tri ndërrime

MitrovicëPostuar: 08:29 / 18.09.2017

Punimet për riparimin e Shkollës fillore “Musa Hoti”, në Mitrovicë, ende nuk kanë filluar, me përjashtim të sanimit të disa dëmeve të pjesës e cila nuk është përfshirë nga flakët.

Ndërkohë, rreth 900 nxënësit e kësaj shkolle mësimin po e vijojnë në hapësirat e Shkollës së mesme të mjekësisë “Xheladin Deda” dhe Shkollës fillore “Andon Zako Çajupi”. Mirëpo, në këtë të fundit fluksi i nxënësve është shtuar dhe mësimi po mbahet me tri ndërrime

Punimet për riparimin e Shkollës fillore “Musa Hoti”, në Mitrovicë, e  cila ishte djegur pak para fillimit të vitit të ri shkollor, nuk kanë filluar ende.

Në këtë objekt deri më tani është bërë sanimi i një aneksi i cili i ka shpëtuar flakës, ndërkohë, udhëheqësit komunalë kanë qenë në pritje të formimit të qeverisë, nga e cila presin që t’i ndajë fondet për renovimin të tërësishëm të objektit.

Zëdhënësja e komunës, Blerina Kastrati, tha për Radio Kosovën se janë në pritje që sa më parë të fillojnë punimet në këtë objekt mësimor.

“Ndërsa sa i përket dëmeve që janë shkaktuar në këtë shkollë, kemi marrë premtime të mëdha edhe nga qeveria që gjatë kësaj jave besoj të fillojë komplet renovimi i shkollës. Konkretisht për një datë nuk jemi akoma të sigurt, pasi tash sa është formuar qeveria dhe duhet të presim”, tha Kastrati.

Sa i përket mbarëvajtjes së mësimit, Kastrati tha se procesi mësimor është duke vazhduar me rregull në objektin e Shkollës së mesme “Xheladin Deda” dhe atë të Shkollës fillore “Andon Zako Çajupi”, e cila po ashtu e ndanë të njëjtin objekt me Shkollën fillore “Aziz Sylejmani” që nga viti 1991, për shkak se objekti i saj ndodhet në veri të Mitrovicës.

Megjithatë, një gjë të tillë nuk e pohuan edhe vetë udhëheqësit e shkollës.

Flamur Gacaferi, drejtor i shkollës “Aziz Sylejmani”, tha se pas shtimit të shtatë paraleleve nga shkolla “Musa Hoti”, fluksi i nxënësve është shumë i madh ndërsa orari i mësimit është shkurtuar.

“Janë dy probleme, fluksi i madh i nxënësve dhe i prindërve¸ shkaktohet tollovi hyrje-dalje sepse është numër i madh i tyre, dhe problemi tjetër është se punojmë me orar të reduktuar tash, për shkak se ka ardhur shkolla “Musa Hoti”. Shtatë paralele na është dashtë nga ora 12:30, tash e fillojmë mësimin në ora 11:10 dhe atë nga 30 minuta ora deri në të pestën, e gjashta 25 minuta në mënyrë që t’i lëshohet hapësirë edhe shkollës “Musa Hoti”, tha Gacaferi.

Në objektin e shkollës “Andon Zako Çajupi” mbajnë mësim rreth 800 nxënës gjithsej, ndërsa që nga një shtatori, këtij objekti i janë shtuar edhe shtatë paralele të shkollës “Musa Hoti”.