Mospërshtatja e shpejtësisë shkaktar i aksidentit me fatalitet në Mitrovicë

MitrovicëPostuar: 12:16 / 08.09.2017

Policia e Kosovës ka njoftuar se shkak i aksidentit me fatalitet që ndodhi sot në orët e hershme të mëngjesit në Mitrovicë, ka qenë mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës.

“Një aksident trafiku me fatalitet është raportuar rreth orës 05:13 të datës 8 shtator 2017. Aksidenti ka ndodhur në rrugën rajonale Mitrovicë- Pejë, në fshatin Lushtë të Mitrovicës, ku si pasojë e aksidentit ka pësuar lëndime vdekjeprurëse vetë drejtuesi viktima A. H. 37 vjeçar”, thuhet në njoftimin e PK-së.

“Nga hetimet e para të bëra në vendngjarje, nga hetuesit e Njësisë së trafikut rajonal, bëhet e ditur se si shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës nga ana e ngasësit/viktimës, i cili humb kontrollin mbi automjetin duke përfunduar jashtë rrugës”, thuhet më tej.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.

Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor, që të kenë kujdes dhe t’u përmbahen rregullave të trafikut dhe sinjalistikës në fushën e sigurisë në trafikun rrugor.