Në Mitrovicë inspeksioni zbuloi 1.1 mijë kg mish të skaduar

MitrovicëPostuar: 14:44 / 23.03.2018

Inspektorët e Komunës së Mitrovicës kanë konfiskuar dhe asgjësuar 1 mijë e 100 kilogramë mish nga dy qendra të mëdha tregtare në këtë qytet, pasi mishit i ka munguar deklaracioni.

Mediat raportojnë se drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në Mitrovicë, Hysni Ahmeti, ka bërë të ditur se mishi ka qenë pa prejardhje dhe me afat të skaduar.

Sipas tij, sasia e konfiskuar e mishit është asgjësuar në deponinë e bërllokut në Koshtovë të Mitrovicës, ndërsa sa i përket prejardhjes së produktit, gjithçka lë mundësi të hapur.

“Më datë 13.02, kemi qenë në ‘Viva Fresh’, kemi hasur në mish që nuk ka prejardhje, nuk ka dokumentacion dhe ka skaduar afati i mishit… Nuk ka deklaracion, nuk ka prejardhje, edhe pse dihet se një sasi ka qenë prej Gjakovës, tjetra ka qenë import dhe nuk e dimë prej nga është importuar. Në bazë të të dhënave të inspektorëve është konstatuar se ky mish nuk i plotëson kushtet me qenë në treg… Pas ‘Viva Fresh’-it kemi inspektuar edhe ETC-në dhe kemi hasur në mish që ka qenë në shitje".

"Unë kam dëgjuar deklaratat e përfaqësuesve të ‘Viva Fresh’-it se kinse mishi ka qenë në një depo tjetër, se i ka skaduar afati, se kanë dashur ta transportojnë në një nga depot e tyre për ta bërë asgjësimin, mirëpo e gjithë sasia e mishit ka qenë në shitje, nuk ka qenë në depo të tyre rezervë, por ka qenë në shitje... Është edhe kërkesa për gjykatë të cilën e kemi bërë. Me procesverbal dhe të gjitha të tjerat... Janë 573 kilogramë në ‘Viva Fresh’, kurse në ETC 550 kilogramë. Gjithsej i bie diku 1100 kilogramë mish që kemi larguar nga shitja dhe kemi dërguar në deponi të bërllokut në Koshtovë për të mirën e qytetarëve të Mitrovicës… Gjithçka lë mundësinë e hapur, por ne nuk kemi hasur në dokumentacion që mund të dokumentojmë se ka qenë import prej Belgjikës, por vetëm dimë se një pjesë e mishit ka qenë import”, ka thënë Ahmeti.