Në Mitrovicë u mbajt tryeza “Trajtimi i ndërtimeve pa leje në veriun e Kosovës”

MitrovicëPostuar: 16:20 / 26.10.2018

Në Mitrovicë u mbajt tryeza për Zhvillim Civil (CDO) në kuadër të projektit “Trajtimi i ndërtimeve pa leje në veriun e Kosovës”, ka organizuar Fokus Grupin me qëllim të diskutimit të nenin 6 “Përgjegjësitë e komunave për trajtimin e ndërtimeve pa leje” nën Ligjin nr. 06/l-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Në këtë takim ishin të pranishëm nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, drejtori për Gjeodezi, Katastër dhe Pronë, Egzon Jashari, udhëheqësi i Legalizimeve në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizimit, Besim Shala, dhe zyrtarë të tjerë komunal.

Ky projekt ka për qëllim rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe përgjegjësisë së qeverisjes lokale në 7 komunat e Kosovës së veriut në proceset vendimmarrëse dhe politikëbërëse, duke identifikuar, analizuar dhe avokuar sfidat e trajtimit të ndërtimeve pa leje.

Merita Mripa, projekt menaxhere, dhe Migjen Abrashi, drejtor ekzekutiv nga organizata CDO, kanë falënderuar zyrtarët komunalë të cilët iu kanë përgjigjur ftesës si dhe kanë njoftuar për qëllimin e organizimit të Focus Grupit. Me rastin e hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për trajtimin e ndërtimeve pa leje, është krijuar mundësia për trajtimin e ndërtimeve pa leje në tërë territorin e Kosovës, ky ligj ka përcaktuar një procedurë unike për trajtim, ndërsa udhëzimet aministrative do të përgatiten që brenda më së shumti afatit 6 mujor të aprovohen dhe më pastaj do të publikohen procedurat e aplikimit për qytetarët.

Nënkryetari Mujka theksoi se kemi bashkëpunim shumë të mirë me organizatën CDO dhe se dy vitet e fundit jemi së bashku me temat e legalizimeve.

Udhëheqësi i legalizimeve Besim Shala paraqiti të gjitha përgjegjësitë e komunës për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Komunat kanë përgjegjësinë primare për zbatimin e këtij ligji, sqaroi ai, ndërsa drejtori i Drejtorisë për Gjeodezi, Katastër dhe Pronë, Egzon Jashari tha se duhet ta vlerësojmë lartë angazhimin e CDO-së që është duke trajtuar këtë çështje me një rëndësi nacionale të vendit.