Nxënësit rrezikohen nga shembja e shkollës në Mitrovicë

MitrovicëPostuar: 10:22 / 21.05.2018

Nafije Rexha, mësimdhënëse e klasës së tretë, sa herë bie zilja e shkollës, del në korridor për t’u kujdesur për nxënësit, pasi ka frikë që numri i madh i nxënësve mund të ndikojë në shembjen e katit të dytë të shkollës.

Njëjtë veprojnë edhe mësueset e tjera të kësaj shkolle, raporton KTV. Në objektin e kësaj shkolle krijohet një dridhje për shkak të numrit të madh të nxënësve.

Krejt kjo ka ardhur si rezultat i djegies së katit të dytë të objektit shkollor gjatë kohës së luftës, por edhe vjetërsisë së saj.

Se rrezikohet jeta e nxënësve në këtë shkollë, e thotë edhe Afrim Jashari, prind, i cili ka tre fëmijë në këtë shkollë.

Për këtë problem që ka filluar që nga paslufta, drejtori i shkollës thotë se e ka njoftuar edhe komunën, porse deri tash nuk është iniciuar asgjë.

Zyrtarë të Komunës së Mitrovicës thonë se do të bëjnë renovime në kohën e pushimit veror, pasi nuk kanë buxhet për ndërtimin e një shkolle të re.

Menaxhmenti i shkollës shpreson që renovimi ose ndërtimi i një objekti të ri, të bëhet sa më shpejt para se të ndodhë më e keqja.