Pllakë përkujtimore në qendër të Mitrovicës për të përkujtuar minatorët e vitit 1989

MitrovicëPostuar: 15:34 / 20.02.2018

Ka nis manifestimi “Java e Minatorëve” në shenjë përkujtimi të 29 vjetorit të Grevës së njohur të minatorëve.

Në këtë manifestim, ku ishin të pranishëm qindra minatorë e qytetarë nga Mitrovica e më gjerë, ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, Valdrin Lluka, Ministri i Zhvillimit Ekonomik , kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, kryetari i sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku si dhe drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava.

Në ceremoninë solemne e cila u mbajt në Stantërg, u tha se ishin rreth 1 mijë e 300 minatorë që kishin hyrë në këtë grevë për të mbrojtur ekzistencën e Kosovës dhe autonominë e saj. Greva historike e minatorëve të “Trepçës” e vitit 1989 qe shndërruar në rezistencë gjithëpopullore demokratike e paqësore kundër presioneve të Serbisë për ta ripushtuar Kosovën.

Në fjalën e tij, kryeministri Haradinaj fillimisht përshëndeti minatorët, ndërsa grevën e minatorëve të vitit 1989 e ka cilësuar si ngjarje e cila ka lëkundur proceset për të ardhmen e vendit.

“Ngujimi i minatorëve në minierën e ‘Trepçës’ 29 vjet më parë, ishte moment kthese për Kosovën, andaj ne sot kemi para vetes dhe po punojmë në hartimin e statutit të ‘Trepçës’ e gjithashtu edhe në përzgjedhjen e bordit të saj”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa në fjalën e tij, i pari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se ishin minatorët që me këtë grevë arritën që të mobilizojnë gjithë shqiptarët kudo që janë, që të kyçen në aktivitetet mbarëkombëtare për çlirim nga okupatori serb dhe kjo padyshim ishte një nga ngjarjet më të fuqishme dhe më të rëndësishme në rrugëtimin tonë shekullor drejt lirisë dhe pavarësisë.

Ai më tutje ka shprehur gatishmërinë e tij të plotë për të gjithë minatorët duke i quajtur edhe “luanë të nëntokës”.

Njëkohësisht Bahtiri ka falënderuar Haradinajn i cili ka treguar përkushtim të madh për “Trepçën” dhe ka uruar që sa më shpejt gjiganti ynë industrial të bëhet me bord dhe menaxhment të ri.

Para të pranishmëve Bahtiri ka premtuar që shumë shpejt në qendër të qytetit do të vendoset edhe një pllakë përkujtimore, për të nderuar të gjithë minatorët e vitit 1989.

Ndërsa drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava kërkoi që të zbatohet Ligji për Trepçën dhe të konsolidohet edhe më tutje “Trepça”.

Edhe kryetari i sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku, kërkoi kushte më të mira dhe zbatimin e ligjit.

Për ta bërë sa më madhor këtë përvjetor, në fund u shfaq edhe një program i pasur kulturor, ku u këndua për të gjithë minatorët.