Reparti i Pediatrisë në Mitrovicë në kushte të vështira

MitrovicëPostuar: 11:02 / 07.11.2017

Reparti i Pediatrisë në Mitrovicë, po punon në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe të papastra për fëmijët që bëjnë vizita në këtë repart.

Reparti ka vetëm shtatë shtretër në një dhomë, ku kryhen të gjitha shërbimet 24 orëshe. Ndërsa spitali i ri i Pediatrisë, që ka filluar të ndërtohet para 4(katër) viteve, ende nuk dihet se kur do të përfundojë.

Shefi i këtij reparti, Rrahim Merovci, i ka thënë Radio Kosovës se personeli po vazhdon të kryejë shërbime në një ambient tejet të vështirë të punës.

“Mundohemi në ato kushte të japim maksimumin. Jemi larg spitalit përgjigjes, jemi diku një kilometër prej spitalit përgjegjës, kemi problem me analiza për ta kompletuar një pacient, me lëviz prej atje-këtu”, ka thënë Merovci.

Spitali i ri i Pediatrisë në Mitrovicë kishte filluar të ndërtohej katër vjet më parë, falë një donacioni të Shoqatës “Nënë Tereza”, me përfaqësi në Gjermani. Drejtori i Spitalit në Mitrovicë, Hamëz Berisha,  thotë se spitali i ri është dashur të hapet me 15 tetor, por, punët, sipas tij, kanë ngecur për shkak se donatorët nuk kanë siguruar fondet e mjaftueshme për të përfunduar punët për këtë spital.

“Unë kam bërë një kërkesë në Ministrin e Financave, të Shëndetësisë, për disa monitorë, shtretër të pacientëve dhe teknologjinë informative duke e përfshi me kamera, vlera e tyre është 100 mijë euro për ta kompletuar këtë repart”, ka thënë Berisha.

Ministria e Shëndetësisë për një javë rresht nuk është përgjigjur në pyetjet e Radio Kosovës rreth spitalit të Pediatrisë në Mitrovicë.