Trajnohen anëtarët e rinj të Kuvendeve të Komunave të Rajonit të Mitrovicës

MitrovicëPostuar: 16:58 / 13.12.2017

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka vazhduar mbajtjen e “Trajnimve të Anëtarëve të zgjedhur të Kuvendeve Komunale”.

Ky program po implementohet në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe financohet nga Agjencioni Zviceriane për Zhvillim (SDC).

Trajnimet organizohen nëpër qendrat regjionale të Kosovës (Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë dhe Gjilan) ku do të mbahen pesë takime për secilën fushë/temë nga nëntë gjithsej, njofton InfoKomuna.

Trajnimi sot ka vazhduar në Mitrovicë në temat “Roli i anëtarit të Kuvendit të Komunës” dhe “Infrastruktura ligjore ekzistuese mbi vetëqeverisjen lokale në Kosovë” me ligjëruesit Fatos Qerimi, drejtor i Departamentit Ligjor në MAPL dhe Xhevat Tafa, udhëheqës i Divizionit për monitorimin e komunave në MAPL, e ku kanë marrë pjesë anëtarët e KK të regjionit të Mitrovicës.

Gjatë trajnimeve është zhvilluar edhe diskutimi mes panelistëve dhe anëtarëve të KK për çështje me rëndësi për Kuvendet e Komunave.

Nesër, trajnimi vazhdon me komunat nga Regjioni i Gjilanit. /InfoKomuna/