Vazhdon rrënimi i objekteve pa leje afër liqenit akumulues në Suhadoll

MitrovicëPostuar: 14:31 / 08.10.2018

Drejtuar nga kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, në të cilën janë diskutuar dhe shqyrtuar çështje të rëndësishme nga fushëveprimi i Bordit dhe drejtorive komunale.

Vehbi Ahmeti nga Drejtoria e Inspekcionit, i njoftoi anëtarët e Bordit me kërkesën e autotaksistëve për sigurimin e një parkingu më të përshtatshëm në mënyrë që të mos hasin në pengesa nga taksistët ilegal.

Lidhur me këtë drejtori i Infrastrukturës, Naser Muja, tha se taksistët e kanë hapësirën e tyre të caktuar më parë shumë të përshtatshme,  por ajo duhet të shfrytëzohet vetëm nga taksistët që posedojnë leje e jo nga ata që qarkullojnë pa leje.

Po ashtu, Ahmeti foli edhe për nevojën që të caktohet një depo ku mund të vendosen mallrat dhe inventari  të cilin inspektorët e konfiskojnë për shkak të shkeljeve ligjore.

Bahtiri tha se kjo çështje mund të zgjidhet duke e shfrytëzuar lokacionin i cili gjendet në afërsi të  Kompanisë Rajonale Uniteti.

Nga Ahmeti anëtarët e Bordit u njoftuan se 19 tetori është caktuar si data për rrënimin e shtëpive të ndërtuara pa leje dhe në pronë publike të cilat ndodhen tek Liqeni Akumulues në Suhadoll, ndërsa që ajo hapësirë është e nevojshme për implementimin e projekteve të pa përfunduara në kuadër të projektit të liqenit.

Drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, njoftoi të pranishmit se Asociacioni i Komunave të Kosovës ka dërguar shkresë për të gjitha komunat me të cilën njofton se nga tash Drejtoria e Prokurimit me rastin e shpalljes së  tenderëve, si kusht për operatorët duhet të vendos edhe kryerjen obligimeve nga tatimi në pronë.

Drejtori Gashi, kërkoi që drejtorët që t’i zbatojnë vërejtjet e dala nga Raporti i Auditorit,  sepse tani e tutje komunat do të shpërblehet ose ndëshkohet varësisht nga përmirësimi i të gjeturave të auditorit, thuhet në komunikatën për media, përcjell InfoKomuna.