MMPH kallëzim penal komunës së Zveçanit për "Luginën e Diellit"

ZveçanPostuar: 14:34 / 16.04.2018

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka ngritur kallëzim ndaj komunës së Zveçanit, njofton InfoKomuna.

Ministrja Albena Reshitaj tha se inspektorati i MMPH-së gjatë inspektimit ka konstatuar se Komuna e Zveçanit është përgjegjëse për moszbatimin e urdhrave të ministrisë andaj edhe ka ngritur kallëzim penal lidhur me ndërtimin e lagjes “Lugina e Diellit”.

Sipas saj, Drejtoria e Urbanizmit nuk i është përgjigjur urdhëresës së Inspektoratit të MMPH-së për dërgimin e dokumentacionit në ministri. Ajo tha se janë duke pritur përgjigjeje pasi është një afat kohor që duhet zbatuar.

“Drejtoria e Urbanizmit e komunës së Zveçanit nuk i është përgjigjur urdhëresës së Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Komuna e Zveçanit është përgjegjëse për moszbatimin e urdhëresës së dhënë nga inspektorati i ministrisë”.

“Është bërë inicim në Gjykatën Themelore në Mitrovicë kundër komunës së Zveçanit si person juridik dhe drejtoreshës së Urbanizimit si person përgjegjës”.