Mobilizimi i akterëve lokalë parakusht për zhvillim të qëndrueshëm

KamenicëPostuar: 15:52 / 30.03.2018

Në kuadrin e vizitave në komuna dhe angazhimeve të përbashkëta, përfaqësuesit e Institutit KLGI vizituan Komunën e Kamenicës, ku u pritën nga Kryetari i Komunës, z. Qëndron Kastrati, për të diskutuar lidhur me perspektivat në fuqizimin e nivelit lokal. Fillimisht, u.d drejtori ekzekutiv i Institutit KLGI, Besnik Muçaj, ka uruar Kryetarin Kastrati për marrjen e detyrës, duke theksuar rëndësinë e veçantë të përfshirjes së barabartë në vendim-marrje. Ndërkaq Kryetari Kastrati ka njoftuar përfaqësuesit e KLGI lidhur me angazhimet që ka ndërmarrë kjo komunë.

Përgjatë takimit, u.d drejtori ekzekutiv i Institutit KLGI, z. Besnik Muçaj, dhe Kryetari Kastrati diskutuan lidhur me zhvillimet dhe sfidat në komunën e Kamenicës, njëherësh për hapat në vijim në funksion të agjendës së përbashkët për fuqizimin e nivelit lokal. Kryetari Kastrati theksoi se fokus të veçantë i ka kushtuar zhvillimit ekonomik lokal, duke përfshirë sa më fuqishëm diasporën si potencial i rëndësishëm.

Po ashtu ai trajtoi edhe sektorët funksionalë nisur nga arsimi e deri tek ngritja e kapaciteteve të zyrtarëve për planifikim dhe menaxhim efikas. Ai theksoi se sfiduese mbeten formulat e financimit, për rastin e Kamenicës - ajo ka shtrirje të madhe në territor ndërkaq buxhetin në masën gati 80% për kokë banori. Kjo bëhet sfidë zinxhirore qoftë në shtrirjen e infrastrukturës, shërbimeve por edhe të stafit në fushat sektoriale sikurse arsimi, shëndetësia dhe administrata.

Z. Muçaj i ka ofruar mbështetje profesionale nga Instituti KLGI, duke pasur parasysh se është e rëndësishme që në nisje të ketë bashkëpunim dhe koordinim të qëndrueshëm me gjithë akterët në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.

Për këtë, projekti që po e zhvillon Instituti KLGI në “Mbështetje të Komunave të Forta dhe të Qëndrueshme” mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë që u prezantua në takim synon të ndihmojë komunat për të ndërtuar praktika efikase të bashkëpunimit dhe koordinimit brenda dhe ndër-komunal. Kësisoj, jo vetëm se fuqizohet demokracia dhe mbikëqyrja, por para së gjithash rritet kualiteti i vendimmarrjes dhe besueshmëria e qytetarëve.

Në veçanti projekti SSSM vendos një fokus të madh në mbështetjen e komunave që kanë kapacitete të limituara, i cili përfshin komunat e vogla të cilat në procesin e reformës u duhet prodhuar zgjidhje e qëndrueshme, qoftë për financim apo edhe ofrim të shërbimeve publike dhe administrative.  /InfoKomuna/