Mullirit që i japin jetë punëdoret e grave të Deçanit

DeçanPostuar: 13:10 / 11.02.2018

Në qendër të Deçanit është një monument kulture. I ka mbushur 200 vjet, por tash më shumë se një dekadë ka ndërruar funksion. Dikur ka qenë mulli, ku është bluar grurë, e në një anë të tij është tjerrë edhe lesh. E kanë menaxhuar burrat, shkruan sot “Koha Ditore”.

Prej vitit 2005 është kthyer në një muze e dyqan, ku jo vetëm mbahet gjallë një pjesë e traditës së kësaj ane, por edhe promovohet e përfitohet nga ajo. E menaxhon një grua, që quhet Safete Gacaferri, që me shoqatën e vet ka grumbulluar rreth vetes dhjetëra gra të tjera që punojnë punëdore. Siç thotë ajo, në këtë vend gjenden prej gjilpërës për të vënë një pullë e deri te veshjet kombëtare.

Kësisoj edhe ruhet monumenti, që u ndërtua nga familja Shabanaj, në shekullin e XIX.

Rikthimi i pamjes origjinale

Shteti e ruan në listën e monumenteve të trashëgimisë kulturore, objektin që thotë se e ndërtuan mjeshtrit vendorë. Është Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Pejë, ajo e cila ka përsipër ruajtjen e promovimin e këtij aseti.

E në përshkrimin që e ka për këtë objekt, kjo Qendër shkruan se si objekt publik, mulliri shërbente për nevojat e popullatës së Deçanit dhe më gjerë për bluarjen e drithërave. /InfoKomuna/