Ndërtimi i hidrocentraleve, pas raporteve të ekspertëve të mjedisit

PrizrenPostuar: 10:03 / 19.01.2018

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka bërë të ditur se ky dikaster qeveritar është në fazën e shqyrtimit të mënyrës së dhënies së pëlqimeve mjedisore nga kjo ministri për ndërtimin e hidrocentraleve në Lumëbardhin e Prizrenit.

Ajo ka theksuar se MMPH-ja është duke e trajtuar seriozisht këtë çështje, meqë ndërtimi i secilit hidrocentral duhet të arsyetohet dhe se paralelisht duhet të ruhen burimet ujore, shkruan sot Koha Ditore.

E pyetur nëse do të ketë revokim të pëlqimeve të lëshuara nga MMPH-ja për shkak të reagimeve të shumta të qytetarëve të fshatrave të Luginës së Lumëbardhit, por edhe deputetëve të komunitetit boshnjak, Reshitaj ka pohuar se është në pritje të raporteve të ekspertëve të kësaj ministrie për punën, që është bërë deri tashti lidhur me hidrocentralet.