Në Ferizaj,nis ekzaminimi i lokalit ku shpërtheu bombola e gazit

FerizajPostuar: 17:30 / 07.01.2021

Ferizaj, 6 janar - Ekipet e inspektorëve nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, inspektorë të Punës dhe inspektorë të pavarur në bashkëpunim me ekipet e hetuesisë pranë Policisë së Kosovës kanë nisur ekzaminimin e bombolave të gazit dhe hapësirave në një lokal në Ferizaj, ku një ditë më parë si pasojë e një shpërthimi mbetën të lënduar 44 qytetarë.

Nga 14 pacientë sa janë të hospitalizuar aktualisht në QKUK, dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë, por Komuna e Ferizajt është duke bërë përpjekje që një pjesë e pacientëve të dërgohen për shërim të mëtutjeshëm në Turqi. KOHA ka mësuar se në mesin e pacientëve ishin pesë punëtorë, të cilët janë lënduar në vendin e punës. Ndërkaq, në vendin e ngjarjes sipas inspektorëve ende nuk dihet saktësisht për dëmet materiale, por mbrapa kamerës kanë thënë se ato do të jenë të mëdha, andaj gjatë ditëve në vazhdim do të dalim me raporte zyrtare. Pas këtij rasti i gjithë vendi është solidarizuar me qytetarët e Ferizajt, ndërkohë të gatshëm për mbështetje janë treguar edhe disa shoqata humanitare me qëllim që pacientët të shërohen sa më shpejt dhe t’u kthehen familjeve të tyre.

Jeton Zeqiri, drejtor i Spitalit Rajonal në Ferizaj, ka thënë se një pjesë e të lënduarve janë të djegur nga shpërthimi i zjarrit 35 deri 50 për qind të hapësirës trupore, andaj së shpejti specialistët e kirurgjisë plastike do të vendosin për t’i dërguar për shërim jashtë vendit. Sipas tij, Spitali i Ferizajt me mbështetje nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës e kanë menaxhuar situatën mjaft mirë.

“Fillimisht 44 pacientë kanë marrë shërbime mjekësore në Spitalin e Ferizajt, ndërkohë 14 prej tyre i kemi dërguar në QKUK. Është bërë një punë ekipore dhe profesionale për menaxhimin sa më të mirë të situatës. Pra, 14 pacientë të tjerë që nuk kanë qenë në gjendje për t’i dërguar në QKUK janë observuar në spital, ndërkohë pas observimit 9 pacientë janë liruar dje në shtëpi. Për momentin në spitalin tonë janë duke u trajtuar vetëm 5 pacientë dhe në konsultim me klinikën e kirurgjisë plastike këta pacientë i kemi dërguar me ndihmë të shpejtë për të observuar dhe për ta bërë pastrimin-fashimin për arsyeje se nga të gjithë pacientët kemi djegie të ekstremiteteve dhe regjionit të fytyrës”, ka thënë Zeqiri.

Sipas tij, spitalet e përgjithshme nuk e kanë të zhvilluar kirurgjinë plastike për arsye se i takon nivelit terciar, andaj pacientët obligohen t’i dërgojnë në Prishtinë për trajtim.

Burim Ademi, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Ferizajt, ka thënë se Komuna është e gatshme në çfarëdo mënyre të kontribuojë në mënyrë që sa më shpejt pacientët të shërohen dhe të kthehen në familjet e tyre. “Ministri i Shëndetësisë, Zemaj, e ka vizituar Ferizajn pas shpërthimit të bombolës andaj jemi dakorduar që personat që janë me lëndime më të mëdha dhe më të thella e që nuk mund ta marrin tretmanin e duhur në spitalet tona, të bëhet transferimi i tyre në ndonjë spital më të zhvilluar në ndonjë shtet tjetër dhe u shpreh gatishmëria e ministrit dhe e kryetarit të Komunës që këta pacientë t’i dërgojmë jashtë vendit”, ka thënë Ademi. Sipas tij, kjo mbetet të vendoset së shpejti nga ekspertët e kolegjiumit të QKUK-së. “Pas takimeve tona me ministrin Zemaj, ata janë shprehur të gatshëm që ta marrin barrën për t’i dërguar pacientët në Turqi, por edhe ne si komunë jemi të gatshëm të kontribuojmë në çfarëdo mënyre vetëm që pacientët të shërohen sa më shpejt dhe të kthehen pranë familjeve të tyre”, ka deklaruar Ademi.

Qazim Reka, major i Policisë në Ferizaj, ka thënë se ekipet profesionale do të vazhdojnë të punojnë edhe më tej gjatë ditëve në vazhdim për të dalë me raporte zyrtare rreth dëmeve të shkaktuara brenda dhe jashtë objektit. “Mbrëmë kam thënë se institucionet tona janë organizuar për të punuar bashkërisht për hetimin e këtij rasti, andaj tani kanë nisur ekzaminimin edhe inspektorët e pavarur që kanë qenë gjatë ditës këtu dhe kanë kryer edhe ata një hetim, kështu që do të dalin me një raport të veçantë rreth dëmeve dhe kësaj situate”, ka thënë Reka.

Ndërkohë, gjatë së mërkurës, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, nëpërmjet një postimi në rrjetin social, ka thënë se e gjithë Kosova dhe qytetarët anekënd trojeve etnike janë solidarizuar me shpërthimin që shkaktoi dhjetëra të lënduar në Ferizaj. “I gatshëm për të dhënë ndihmën e tij, u ofrua menjëherë edhe humanisti, Halil Kastrati. Atë së bashku me anëtarët e tjerë të shoqatës “Jetimat e Ballkanit” i takova për t'i falënderuar për solidaritetin dhe gatishmërinë që në momentin e parë, për të ndihmuar për rastin e shpërthimit të së martës”, ka shkruar Aliu./Koha.net/