Nis trajnimi në fushën e menaxhimit të energjisë në Komuna

Postuar: 16:21 / 25.04.2018

Me bashkëpunim të Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe GIZ, sot ka filluar trajnimi treditor lidhur me menaxhimin e Energjisë në Komuna, në të cilën morën pjesë Drejtorët e Shërbimeve Publike dhe Zyrtarët komunal për Energji.

Arsim Osmani, koordinator i projektit nga AKK-ja elaboroi programin e trajnimeve që do të përfitojnë komunat në këtë fushë dhe ndërlidhjen që do ta ketë ky trajnim me zbatimin e projekteve të ardhshme në fushën e meanxhimit të energjisë në komuna.

Ndërsa Maliq Pireci nga GIZ-Projekti i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë theksoi se ky projekt synon krijimin e sistemit të menaxhimit të energjisë në Komunat e Kosovës. Ai shtoi se projekti KEEP ka marrëveshje bashkëpunimi me AKK, me të cilët organizon trajnime të ndryshme me zyrtarët komunal dhe se ky trajnim është vetëm faza e parë që mbahet gjatë këtij viti.

Ligjëruesit dr.Bedri Dragusha dhe ark.Nafije Gashi si dhe përfaqësuesi i GIZ-it, Maliq Pireci prezantuan programin e trajnimeve në fushën e menaxhimit të energjisë në komuna.

Në këtë program u ligjëruan Efiçienca e Energjisë në komuna, situata aktuale si dhe detyrimet e Kosovës në lidhje me procesin e integrimit në BE dhe Traktatin e Komunitetit në fushën e EE.

Pjesë e programit trajnues ishin edhe temat si:
• Komunat si prodhues / konsumator / rregullator dhe motivues energjie,
• Pse Menaxhimi i Energjisë në komuna dhe përcaktimi i strukturës organizative në lidhje me Menaxhimin e Energjisë Komunale,
• Hapat bazik në procesin e krijimit të sistemit të Menaxhimit të Energjisë Komunale,
• Prezentimi i ciklit të menaxhimit të energjisë në nivel komunal ,
• Identifikimi i mangësive, mospërputhjeve, dhe problemeve të procesit aktual të vendimmarrjes në komuna që ndërlidhen me Menaxhimin e Energjisë Komunale,
• Prezentimi i Projektit GIZ-KEEP,
• Aktivitetet për mbështetje komunave,
• Procesi i krijimit të sistemit për Menaxhim Komunal të Energjisë (MKE) me komunat,
• Softveri ENMASOFT për MKE (spjegimi i aktiviteteve që do të zhvillohen në lidhje me: mbledhjen e të dhënave, krijimi i bazës së të dhënave, llogaritja e potencialit të kursimit të energjisë, krijimi i Planit Komunal të Veprimit për EE),
• Monitorimi dhe raportimi i projekteve të implementuara në fushën e EE me Platformën për Monitorim dhe Verifikim (MVP),
• Përgatitja e komunave për aplikim për projekte për EE.

Ky program i trajnimit vazhdon edhe dy ditët e ardhshme e ku marrin pjesë vetëm 17 komuna. Kurse 17 komunat tjera do të marrin pjesë në programin e njëjtë të trajnimit që do të organizohet së shpejti. /InfoKomuna/