Varfëria e detyron të merret me përpunim të thëngjillit, sa për mbijetesë

NovobërdëPostuar: 22:15 / 14.05.2016

Mehmet Emiri, të vetmen punë që bën për ta mbajtur familjen është përpunimi i thëngjillit.

Ai thotë se nga kjo fiton shumë pak dhe me këtë punë nuk mund t’i mbulojë as nevojat elementare për familje. Mehmeti thotë që jetesa në kushte të tilla është bërë e padurueshme, mirëpo nuk ka zgjidhje tjetër, raporton KTV.

Ai thotë se ka kërkuar ndihmë edhe nga udhëheqësit komunalë të Novobërdës. Edhe në këtë Komunë, ashtu si në tërë vendin, ka shumë familje me kushte të vështira ekonomike.

Zyrtarët komunalë të Novobërdës thonë që ka shumë familje, të cilat kërkojnë ndihmën e tyre.

“Në fshatin Llabjan të Komunës së Novobërdës ishte paraparë që të ndërtohej “Lagjja Multietnike” me 40 shtëpi për familjet në nevojë. Mirëpo edhe pas tre vjetësh këtu janë vetëm themelet. Ndërtimi i këtyre shtëpive kishte filluar qysh në vitin 2013, në kohën sa ishte kryetar Komune Basjrush Ymeri dhe janë investuar rreth 1 milion e 300 mijë euro, mjete të cilat Ymeri nuk e di se ku kanë shkuar”.

Ndërsa, përfaqësues të Vetëvendosjes në këtë komunë thonë se zyrtarët komunalë nuk bëjnë asgjë për t’i ndihmuar familjeve të varfra.

Punimet për ndërtimin e këtyre shtëpive ishin ndërprerë për shkak se ajo pronë nuk i përkiste komunës dhe ishte financuar nga organizata joqeveritare “Rrugëtimi”, ndërsa kontakti me ta ishte i pamundur.