Banorët e Hades dhe Shipitullës protestojnë për shpronësimin

ObilicPostuar: 14:36 / 08.09.2017

Disa banorë të fshatit Hade dhe Shipitullë që nga dita e djeshme kanë penguar ekskavatorët e KEK-ut që të punojnë afër shtëpive të tyre.

Banorët thonë se nga puna që po bëhet në këtë vend po u rrezikohet jeta.

 Ardian Mjeku, nga Shipitulla tha se arsyeja që kanë dal për të penguar punën e ekskavatorëve është se ata janë duke punuar ende pa filluar shpronësimi ashtu siq edhe është vendosur nga Qeveria.

“Po protestojmë sepse ekskavatorët e KEK-ut janë duke punuar ndërsa vendimet të gjitha që janë marrë nga Ministritë janë për ndalimin e dy ekskavatorëve,  ndërsa këta i kanë të gjitha ligjet edhe punojnë dhe rrezikojnë jetën e këtyre banorëve. Kërkesat tona kryesore që ka qenë prej fillimit  është nën 1 punësimi, që pa realizimin e punësimit nuk ka asnjë marrëveshje me KEK-un,  dhe e  dyta vlerësimi i dinjitetshëm, shpronësimi i dinjitetshëm”, tha Mjeku.

Sipas tij, kufiri i sigurisë është afruar deri 30 metra afër shtëpive të banueshme dhe nëse nuk arrihet ndonjë kompromis ata do të vazhdojnë me protesta deri në arritjen e kërkesave të tyre.

Edhe Qenan Mirena ka kërkuar që të zbatohet korniza e politikave për zhvendosje edhe në mënyrë të dhunshme nëse është nevoja pasi që ajo  përfshinë edhe kërkesat e tyre dhe është në harmoni me standardet ndërkombëtare.

“Na kërkojna me u zbatu korniza e politikave për zhvendosje ku përfshihen standardet ndërkombëtare ku edhe kërkesat e këtyre lagjeve janë në kuadër të kornizave të politikave për zhvendosje dhe standardeve ndërkombëtare, ligjeve dhe rregullave vendore , ndërsa kompania nuk i respekton ato aspak. Na kërkojmë edhe nga kryeministri që është  në largim edhe tash nga kryeministri i ardhshëm se në qoftë se është nevoja m’u zbatu korniza për politika të zhvendosjes se duhet me u zbatu se u shkel nga kompania e projektit, jo nga banorët, mirëpo kjo kornizë në qoftë se është nevoja duhet m’u zbatu edhe dhunshëm prej Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha Mirena.

Banorët e Hades dhe Shipitullës sot i vizitoi edhe kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.

Sipas tij, banorët e Hades dhe Shipitullës janë para një situate dëshpëruese dhe KEK-u nuk po reflekton pozitivisht.

Gashi kërkoi që të formohet një komision me njerëz kompetent  për këtë çështje dhe problemi i banorëve të këtyre dy fshatrave të zgjidhet.

“KEK-u nuk po reflekton pozitivisht në këtë drejtim dhe qytetarët janë para një situate mos të them,  por të dëshpëruar sepse këta janë prej dje pasdite këtu në këtë vend dhe institucionet e nivelit qendror nuk i ka vizituar askush fatkeqësisht... Ne këtë shqetësim e kemi ngritur sot u kemi shkruar Ministrive që i përmenda më herët, i shkruajmë gjithashtu edhe Avokatit të Popullit dhe do të kërkojmë me urgjencë që sa më shpejt që është e mundshme meqë tani janë në themelim institucionet e nivelit qendror, që sa më shpejt të krijohet një komision i përbashkët nga të gjitha Ministritë të ketë njerëz vendimmarrës në këtë drejtim e jo njerëz që bartin porosi po thjesht të ulen të gjithë bashkarisht për me zgjedh në mënyrën më të mirë“, tha Gashi.

Sipas banorëve të lagjes Mirena, Krasniqi, Berbatovci dhe Mjeku ditë më parë në afërsi ku po punojnë ekskavatorët e KEK-ut është  shembur dheu  dhe  jeta e banorëve të kësaj ane po rrezikohet çdo ditë e më shumë.

Ditë më parë në një nga mbledhjet e Qeverisë në largim është marr vendim për shpronësimin e disa tokave në Hade dhe Shipitullë, zonë kjo me interes të veçantë për mihjen e KEK-ut.