Kundërshtohet emërtimi i sheshit në Obiliq

ObilicPostuar: 10:59 / 06.11.2018

Emërtimi i sheshit të Obiliqit me emrin e ish-kryesuesit të Kuvendit, Adem Preniqi, nuk është pritur mirë nga të gjitha partitë e kësaj komune dhe as nga veteranët e UÇK-së.

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se emërtimi i propozuar nga kryetari i kësaj komune, Xhafer Gashi, është politik dhe nuk përfaqëson vlerë kombëtare. Kryetari i Qendrës së VV-së, Halil Thaçi, thotë se sheshi i Obiliqit meriton emër tjetër.

“Së pari ne mendojmë që Adem Preniqi (ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal të Obiliqit) nuk është ndonjë vlerë kombëtare, është një vlerë e politikës ditore dhe është politikë lokale. Sheshi i Obiliqit, marrë parasysh që ka me qenë një shesh që kanë me kalua breza të tanë, kanë me takua atë shesh, e meriton me pas një emër të vlerës kombëtare edhe një tregues të sakrificës sonë ndër shekuj. Kështu mendojmë ne si Vetëvendosje”, i ka thënë gazetës Koha Ditore, Halil Thaçi.

Më 30 tetor këshilltarët komunalë të Obiliqit e kanë votuar propozimin e kryetarit Gashi që sheshi i qytetit të bartë emrin e Adem Preniqit. Atë ditë në seancë VV-ja kishte qenë me një propozim tjetër “Luftëtarët e Lirisë”.

Kryetari i Qendrës së kësaj partie ka thënë se arsyeja pse kishin propozuar këtë emërtim ka qenë ngritja e vlerave të burrave dhe grave që morën pjesë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.