Vlera e shpronësimeve në Shipitullë dhe Hade, 25 milionë euro

ObilicPostuar: 10:44 / 11.12.2017

Vlera e përgjithshme e shpronësimeve në Shipitullë dhe në Hade të Obiliqit ka arritur së fundi në rreth 25 milionë euro, duke u rritur për 600 për qind për një kohë të shkurtër, krahas 4.5 milionë eurosh sa ka qenë vite më parë.

Gjithë kjo për shkak të lejimit të ndërtimit në kundërshtim me ligjin, pasi që me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës ishte shpallur Zonë me Interes të Veçantë Ekonomik, ku ndërtimet dhe mbindërtimet nuk do të duhej të lejoheshin dhe as kërkesat astronomike për shpronësime nga banorët.

Vetëm vitet e fundit vlerësohet se 140 ndërtime janë realizuar në kundërshtim me ligjin, krahas 99 objekteve të ligjshme sa ishin më herët, shkruan “Zëri“.

Në drejtim të këtij fshati duhet të zgjerohen mihjet e KEK-ut, në të kundërtën vendi rrezikon të zhytet në kolaps të thellë energjetik gjatë muajve në vijim si pasojë e mungesës së qymyrit për termocentrale.

Duke e ditur varësinë e KEK-ut për pronat e tyre, banorë të fshatit Hade po kërkojnë kompensime marramendëse nga shteti i Kosovës.

Gazeta “Zëri”, në bazë të një hulumtimi disajavor, ka arritur ta sigurojë dokumentacionin me kërkesat e banorëve të fshatit Hade, të cilët më 23 nëntor 2017 ia kanë dorëzuar Zyrës së Kryeministrit Haradinaj.