Xhafer Gashi: Shprehim mirënjohjet e thella për brezat që jetësuan ëndrrën tonë

ObilicPostuar: 15:26 / 16.02.2018

Në kuadër të 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, në qytetin e Obiliqit u mbajt manifestimi qendror. Fillimisht u vendosën lule në shtatorën e dëshmorëve në qendër të Obiliqit, duke vazhduar tutje në palestrën sportive “Adem Jashari” ku u organizua një program kulturo-artistik.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, kryetari i komunës së Obliqit, Xhafer Gashi përveç që i’u uroj përvjetorin e 10 të shpalljes së pavarësisë, i bëri edhe një rezyme të shkurtër rrugëtimit të shqiptarëve deri te akti i shpalljes së saj. “Janë bërë 17 vite nga çlirimi i Kosovës dhe 10 vite nga shpallja e Pavarësisë. Deri në këto ditë kemi kaluar ditë të gjata e të mundimshme. Sot kur jemi në këtë përvjetor jubilar shprehim mirënjohjen e lart për ata breza që jetsuan ëndrrën tonë shekullore që Kosova të jetë e pavarur. Në këto ditë kemi ardhur edhe falë diasporës tonë të dashur. Politika paqësore e Ibrahm Rugoves ishte më shumë se e nevojshme në kohën dhe rrethanat e nevojshme. Rënja e heronjëve ishte garanci e fuqishme që liria ishte shumë afër. Shtetet e fuqishme u rënditën përkrah çlirimtarëve”, tha Gashi.

Me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe përfaqësuesi i shoqatave të dalura nga lufta e UÇK-së, Esat Curri i cili tha se duhet të dërgohet në vend amaneti i atyre që kanë rënë për liri. “Njerëz të mëdhenjë kanë dhënë kontribut të madh që ne sot të gëzojmë këtë ditë. Sot kur jemi afër 10-vjetorit  të Pavarësisë nga varret e dëshmorëve dëgjohet thirrja për më shumë bashkim e unitet”, tha ai. Manifestimi vazhdoi me një program të pasur kulturo-artistik.