Opozita në Lipjan kërkon të formohet një komision për monitorimin e shpërndarjes së ndihmave

LipjanPostuar: 15:10 / 09.04.2020

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan nëpërmjet një komunikate për media ka kërkuar nga Kuvendi Komunal ta formoi një komision nga këshilltarët e pozitës dhe opozitës për ta monitoruar procesin e shpërndarjes së pakove ushqimore në kohën e pandemisë.

Ky subjekt ka bërë me dije se duke e përcjellur gjendjen e krijuar kanë vërejtur se ka keqpërdorime gjatë shpërndarjes së pakove ushqimore derisa ato më së shumti po shpërndahen te militantët e partisë në pushtet.

“Ne si opozitë kemi marrë ankesa se gjatë procesit të shpërndarjes së ndihmave janë anashkaluar kryetarët e fshatrave legjitim duke shpërndarë ndihmat me kryetarët e nëndegëve të partisë në pushtet. PDK- dega në Lipjan në këtë kohë e kemi përkrahë propozimin e komunës për ndarjen e 50 mijë eurove për t’i mbështetur familjet skamnore, andaj ne si opozitë kërkojmë nga Kuvendi Komunal në Lipjan ta formoi një komision për monitorimin e procesit për shpërndarjen e pakove ushqimore për familjet skamnore”, thuhet në komunikatën e PDK-së. Sipas saj, ky komision duhet të përbëhet nga anëtarët e kuvendit përfshirë pozitën dhe opozitën në mënyrë që procesi i shpërndarjes së ndihmave të vazhdoi në mënyrë transparente.

“Po ashtu kërkojmë se në fund të procesit ekzekutivi i komunës ta sjell në Kuvend një raport të detajuar para kuvendarëve emër dhe mbiemër për secilën pako ushqimore dhe higjienike. PDK, dega në Lipjan duke e parë këtë diskriminim që ka ndodhur gjatë ditëve të fundit, sipas mundësive tona kemi arritur t’i grumbullojmë gjithsejtë 3 mijë euro dhe 1500 kg me miell të cilat jemi duke i shpërndarë në secilën familje skamnore duke mos bërë dallime mbi ngjyrime politike”, thuhet në komunikatë.