Pacolli: Tani është koha e njerëzve me vizion të qartë

Postuar: 21:31 / 25.09.2017

Kandidatët e AKR-së për kryetarë komunash kanë vizion disa herë më të gjatë sesa mandati për të cilin kërkojnë votën e tyre, për dallim nga kundërkandidatët e tyre nga subjektet e tjera të cilët janë vetëm improvizues.

Kështu ka thënë i pari i AKR-së, Behgjet Pacolli, me rastin e prezantimit të kandidatëve të saj për kryetar komunash për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Pacolli ka thënë se janë qytetarët e Kosovës ata që e kanë forcën e ndryshimit, derisa i ka ftuar ata që të votojnë AKR-në në mënyrë që të përcaktojnë një jetë më të mirë për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

“Punët më të mira në qytetin tuaj sigurisht se i mundësoni ju, i mundëson vota juaj. Tani është koha e njerëzve vizionarë, është koha kur gjërat nuk improvizohen, por ato planifikohen shumë mirë. Jam i bindur se këta kandidatë këtu kanë vizion të qartë për komunat e tyre dhe vizioni i tyre është disa herë më i gjatë sesa mandati për të cilin ata kërkojnë votën e tyre”, ka thënë Pacolli.

Mes tjerash Pacolli ka krahasuar fatin e subjektit të cilin ai e drejton me atë të Partisë Liberale në Gjermani, me ç’rast ka theksuar se ka ardhur koha që të dy subjektet simotra, siç i ka quajtur ai, të jenë në Parlament.

Kandidati i AKR-së për kryetar të Artanës, Ramush Mehmeti, i cili garon për herë të dytë në zgjedhjet lokale duke synuar postin e të parit të asaj komune, ka thënë se meqenëse në zgjedhjet e kaluara kishte humbur për 14 vota, kësaj radhe do të jetë e pashmangshme fitorja.

“Është kënaqësi e veçantë që jam kandidat i komunës më të njohur, kur presidenti ynë na viziton shumë shpesh e qofshim gjithmonë bashkë dhe fitues”, ka thënë ai.