Arrest shtëpiak pasi dyshohen për dhënie dhe marrje të ryshfetit në zgjedhjet lokale

ParteshPostuar: 11:58 / 24.10.2017

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji ndaj të pandehurve M. J. dhe N. Sh.

I pandehuri M. J, shtetas i Kosovës nga Komuna e Parteshit, dyshohet se në zgjedhjet e 22 tetorit, ka paguar faturën e rrymës personit Z. S., në mënyrë që ky i fundit të votojë së bashku me familjarët e tij për kandidaten e cila ka qenë bashkëshorte e të pandehurit.

I pandehuri N. Sh., shtetas i Republikës së Kosovës nga Komuna e Parteshit dyshohet se me 22 tetor ka ndikuar tek qytetarët që të votojnë për kandidatin e një partie të caktuar, madje edhe duke ofruar para në këmbim të votës, transmeton Indeksonline.

Të dy të pandehurit me këtë veprime dyshohet se kanë kryer veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin, nga neni 215 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, thuhet në komunikatën për media./Indeksonline/InfoKomuna/