PDK në Mitrovicë: Fëmijët po mërdhijnë, s’ka ngrohje në shkollat e Mitrovicës

MitrovicëPostuar: 15:41 / 16.11.2017

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Mitrovicë, ka thënë se qeverisja e Agim Bahtirit ishte e papërgjegjshme.

Përmes një reagimi të publikuar në faqen e tyre, PDK ka thënë se për shkak të neglizhencës për çështjen e ngrohjes në shkolla, çështje e ngritur shumë herë nga prindërit e nxënësve të shkollave ku nuk ka ngrohje, sot shumica e shkollave e kanë ndërprerë mësimin, transmeton InfoKomuna.

“Disa shkolla në Mitrovicë, sot kanë ndërpre mësimin për shkak të mungesës së ngrohje, ndërsa disa tjera, kanë punuar me gjysmë orari. Shkollat që ndërprenë mësimin për mungesë të ngrohjes janë: 'Eqrem Çabej', 'Andon Zako Çajupi', në të cilën ndjekin mësime edhe dy shkollat tjera 'Musa Hoti' dhe 'Aziz Sylejmani'".

"Sipas informatave nga personeli arsimor, mësimi është ndërprerë edhe në shkollat tjera. Komuna dhe Departamenti i Arsimit kanë treguar papërgjegjësi të plotë dhe neglizhencë për çështjen e ngrohjes në shkolla, çështje e ngritur shumë herë nga prindërit e nxënësve të shkollave ku nuk ka ngrohje”, thuhet në reagimin e PDK-së së Mitrovicës.