Pejë, drejtorët e rinj komunalë në fund të shkurtit

PejëPostuar: 13:00 / 23.01.2018

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ende nuk i ka emëruar drejtorët e rinj komunalë.

Të gjitha drejtoritë komunale ende drejtohen nga drejtorët e mandatit të kaluar të koalicionit LDK-PDK.

Megjithëse drejtorët e PDK-së po dalin në punë formalisht derisa të vendoset për drejtorë të rinj, të cilët si duket do të emërohen pasi të kthjellet çështja e koalicionit të mundshëm me ndonjërin prej subjekteve politike, më të cilat, siç konfirmon edhe shefi i kabinetit të kryetarit, janë duke u zhvilluar biseda “joformale”, shkruan sot Koha Ditore.

“Kryetari i Komunës është duke zhvilluar biseda për të bërë një zgjidhje racionale për qytetin e Pejës, kështu që drejtorët e drejtorive do të emërohen pas seancës tjetër të Kuvendit Komunal, data për të cilën ende nuk është caktuar”, deklaroi të hënën për KD-në Durim Sheremeti, shefi i kabinetit të kryetarit.