AUV: Mishi i gjetur në Pejë kishte erë kundërmuese, jashtë çdo standardi sanitar dhe higjienik

PejëPostuar: 14:34 / 18.01.2019

Zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë treguar për Telegrafin se mishi i gjetur në Pejë të mërkurën ka qenë jashtë çdo standardi teknik – sanitar dhe higjienik.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi ka konfirmuar për Telegrafin se pas informatës së dhënë në Policinë e Kosovës në Pejë se në një fermë është marrë një kafshë e ngordhur kanë filluar inspektimet në terren.

“Pas hetimeve që ka zhvilluar Policia, është gjetur vendi dhe i dyshuari. Me urdhër të Prokurorit të shtetit, kemi kryer inspektim në shtëpinë private të të dyshuarit, në rrugën ‘Lekë Dukagjini’ nr. 179, në Pejë”, ka bërë të ditur ai.

Thaçi ka konfirmuar se zyrtarët e kësaj agjencie gjatë insepktimit kanë hasur në kafshën e copëtuar, e cila dyshohet të ketë qenë e ngordhur.

“Në dy objekte të vogla, në oborrin e shtëpisë është hasur në kafshën e copëtuar, si dhe në disa pajisje ftohëse të vjetruara (me korrozion). Aty është gjetur edhe një sasi e konsiderueshme e produkteve të mishit të ngrira, tymosura në kushte jo të mira higjienike. Në kontroll organoleptik konstatohej se produkti kishte erë kundërmuese dhe pamja fizike ishte jo në rregull. Hapësirat ku është ushtruar kjo veprimtari ilegale ka qenë në gjendje të papranueshme higjienike, ka pasur papastërti në hapësirat e therrjes dhe ruajtjes se produktit. Kushtet teknike- sanitare dhe higjienike jashtë çdo standardi”, tha për Telegrafin zëdhënësi i AUV-së, Lamir Thaçi për Telegrafin.

Ai ka bërë të ditur se sasia e mishit është konfiskuar për shkak të mungesë së dokumentacionit për produktet e gjetura dhe kushteve jo adekuate të ruajtjes.

“E gjithë sasia e mishit dhe produkteve të mishit të gjetur është asgjësuar, e cila shprehur në kg ishte 1089.40 kg mish dhe produkte të mishit. Asgjësimi është kryer në mjetin transportues të kompanisë se higjienës publike në prani të Policisë. Në konsultim me Prokurorin e shtetit lënda i është dorëzuar policisë së hetimeve për ta dërguar në organet e drejtësisë. Me të dyshuarit e implikuar në këtë rast po merren organet ndjekëse “, tha Thaçi.

Zëdhënësi i AUV-së ka treguar se gjatë vitit 2018 janë asgjësuar 149,065 kg mish dhe nënprodukte të mishit.

“Ne rastet kur artikujt janë gjetur ne treg të ekspozuara dhe të cilat kanë qenë të pa përshtatshme për konsum ato janë konfiskuar dhe janë asgjësuar, të gjitha këto raste janë dërguar në gjykatë. Një sasi e madhe e artikujve ushqimor me afat të skaduar asgjësohen me kërkesën e vet subjekteve afariste”, tha Lamir Thaçi.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Pejë për prodhim dhe vënie në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë. Rasti ka ndodhur në Pejë, të mërkurën në ora 15:00. Inspektori i veterinës ka konstatuar dhe asgjësuar mishin i cili ishte i dëmshëm për konsumin njerëzor. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.