Ish-punëtori pretendon pronësinë ndaj objektit të Kryqit të Kuq në Pejë

PejëPostuar: 10:42 / 26.12.2017

Një objekt dykatësh në mes të objekteve tjera në oborrin e Kryqit të Kuq në Pejë tash e sa vjet nuk po mund të shfrytëzohet nga kjo organizatë për shkak të pretendimeve të ish- punëtorit të saj, Momçilo Dashiq, ndaj atij objekti.

Dashiq pretendon se objekti është pronë e tij. Lënda për këtë kontekst tashmë ndodhet në Gjykatën e Apelit, shkruan sot “Koha Ditore”. Kurse Kryqi i Kuq nuk po mundet të bëjë asnjë investim, në pritje të epilogut të këtij kontesti.

Në vitet ‘90, Dashiqi kishte marrë leje nga organet e atëhershme të Kryqit të Kuq për të bërë një mbindërtim për banim në objektin njëkatësh ekzistues që atë kohë përdorej si garazh e depo.

“Në vitin 1991 kryesia e Kryqit të Kuq e ka sjellë vendimin dhe ma ka lejuar mbindërtimin mbi një garazh që ka qenë aty. Unë e kam rrënuar atë garazh dhe e kam ndërtuar objektin dykatësh me pare të mia. Unë kam kërkuar nga Komuna leje ndërtimi dhe ma kanë lejuar. Objektin e kam ndërtuar dhe në të kam banuar nga viti 1994 deri në vitin 1999”, pohon ish-punëtori i Kryqit të Kuq, Momçilo Dashiq.

Në janar të vitit 1995 Kryqi i Kuq në Pejë me një vendim të nënshkruar nga kryetari që ishte atë vit Svetomir Samargjiq, ia ka dhënë mundësinë Dashiqit që ta legalizojë objektin e ndërtuar dhe ta bëjë parcelizimin e truallit mbi të cilin ka qenë i ndërtuar ai objekt dhe ta bartë në emrin e tij.